Kuvendi nis me 1 minutë heshtje për gjyqtarin Astrit Kalaja, Niko Peleshi kërkon falje për Enver Hoxhën

Ka nisur me 1 minutë heshtje seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, për nder të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, i vrarë pak ditë më parë në Gjykatën e Apelit.

Gjyqtari u ekzekutua me armë zjarri nga Elvis Shkambi, pas një gjyqi për pronat në Shkodër. Autori u arrestua menjëherë nga policia, së bashku me xhaxhanë e tij, i cili dyshohet se ka përkrahur vrasësin në aktin e rëndë.

Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi ka kërkuar falje për futjen e ish-diktatorit Enver Hoxha në listën e personaliteteve kombëtare për muajin tetor.

 Hoxha ishte futur nga Instituti Parlamentar së bashku me personalitetet si Sulejman Delvina, Dritëro Agolli dhe Migjeni.

Pas kundërshtimit nga deputetët e opozitës, si Erlad Kapri dhe Belind Këlliçi, Kuvendi u detyrua ta heqë Enver Hoxhën nga lista e personaliteteve dhe të kërkojë publikisht falje.

“Dua të shpreh ndjesë dhe keqardhje për keqkuptimin e e krijuar. Teksti ishte informativ, jo të mbrojë apo vlerësojë dikë. Teksti është nxjerrë pa interpretim, Hoxha është përmendur vetëm me ditëlindje. I kërkova Institutit parlamentar një rishikim të plotë që të shmanget çdo keqinterpretim”, tha Peleshi.