Pas një seance maratonë që ka zgjatur prej orës 10:00 të së mërkurës e përfundoi në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim projekt-buxhetin 2026 vetëm me votat e mazhorancës.
Projektbuxheti në shifrën 8.8 miliardë euro, më i madhi ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, mori 83 vota pro, asnjë abstenim dhe 32 kundër, të opozitës.
Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj nuk votuan në 3 projektligje. Braçe refuzoi të votonte në projektligjin “Për sistemin e taksave vendore”, ndërsa Sinaj nuk votoi në projektligjet “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” dhe “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Seanca e djeshme nisi me debate të forta, pasi në Parlament u rikthye Belinda Balluku, për herë të parë pasi u mor e pandehur nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë.
I pranishëm pas shumë mungesave ishte edhe kryeministri Edi Rama, që në fjalimin e djeshëm nuk u zgjat shumë si herët e tjera, por la ministrat të flisnin, duke u larguar nga salla e seancës plenare.
Në foltore foli edhe Balluku, që nuk tha asgjë për buxhetin 2026 apo tunelin e Llogarasë, por deklaroi se nuk do ta sulmojë kurrë SPAK-un e vijoi të akuzojë opozitën.
Votimi për buxhetin:
Votimi: 83 vota pro, 31 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”
Votimi: 82 pro, 32 kundër (Braçe nuk voton)
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar
Votimi: 83 vota pro, 32 kundër
Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar
Votimi: 82 pro, 32 kundër (Sinaj nuk voton)
Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”
Votimi: 83 pro, 31 kundër
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”
Votimi: 82 vota pro, 30 kundër (Sinaj nuk voton)
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”
Votimi: 83 pro, 32 kundër
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”