Kurti pranoi Asociacionin por Serbia nuk do ta njohë Kosovën, Borrell: Nuk ka përparim në dialog

Edhe pse Kosova pranoi Asociacionin e komunave serbe, bisedimet në Bruksel nuk patën rezultat.

Kjo pasi Vuçiç ka deklaruar se pavarësisht se Asociacioni është një marrëveshje e mirë, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Pavarësisht sinjaleve pozitive të enjten, sipas shefit tëpolitikës së jashtme të BE, Josef Borrell, një pajtim i mundshëm mes Prishtinës dhe Beogradit lidhur me një draft-statut të ri bashkëkohor mbi asociacionin, të propozuar nga zyrtarët europianë, u pengua nga kushtëzimet që palët i paraqitën njëra-tjetrës.

“Fatkeqësisht, palët nuk ishin të gatshme të dakordësoheshin mbi këtë pa parakushte, të cilat ishin të papranueshme për palën tjetër. Në fund, në u kërkojmë palëve të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit. Kjo mund të bëhet vetëm në kornizën e dialogut, pasi është e vetmja mënyrë për të avancuar në rrugën drejt BE”, tha Borrell. 

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të lëshuar pas takimeve që Kurti zhvilloi me udhëheqësit evropianë, ai përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit, por se pala tjetër nuk është. Sipas Kurtit, vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj garanton zbatimin e tyre.

“Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, thuhet nga qeveria e Kosovës.

Sakaq, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi pas takimit se nuk ishte folur për nënshkrim, por për zbatimin e asaj që është nënshkruar më herët. Duke e cilësuar draftin e propozuar rishtazi mbi asociacionin, si një bazë të mirë, ai pohoi se nuk mund të pranojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen e pavarësisë: “Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë. Por, Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës”. 

Kurti dhe Vuçiç u pritën të enjten në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, Presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.