Kur pushteti nuk ka kufij! Shqipëria në duart e një njeriu

83 mandate! Ky është numri që Edi Rama ka tashmë në xhep, teksa nëse do t’i shtojmë edhe 3 mandatet e PSD-së, ky numër bëhet edhe më i frikshëm. Jo thjesht një shumicë parlamentare, por një fuqi absolute që i jep të drejtën të ndryshojë çdo ligj, çdo rregull, çdo rrjedhë të jetës politike, institucionale dhe shoqërore në vend.

Sot, Shqipëria nuk ka më një balancë pushtetesh, pasi ka vite që edhe Parlamenti është kthyer në një zyrë tjetër të Kryeministrisë, ku kreu i qeverisë merr çdo vendim në favor të oligarkëve dhe miqve të tij, duke detyruar deputetët të ngrenë kartonin jeshil sa herë që në Kuvend propozohet një ligj.

Mediat janë në një masë të madhe të kontrolluara, shoqëria civile është e lodhur, ndërsa opozita është copëtuar dhe e pafuqishme, teksa partitë e reja janë end enë fillimet e tyre dhe nuk mund të rivalizojnë një forcë kaq të madhe që ka 12 vite në pushtet.

Gabimi i qytetarëve që votuan këtë pushtet absolut është një rrezik për vetë Shqipërinë. Demokracia nuk funksionon kur një njeri ka gjithçka, dhe të tjerët nuk kanë asnjë kontroll mbi të, pasi fuqia që nuk kontrollohet, devijon. Dhe kur devijon në një vend të brishtë si Shqipëria, pasojat ndihen për vite me radhë.

Në Parlamentin e ardhshëm, mazhoranca do të ketë mundësi të ndryshojë ligje që deri më sot nuk ka mundur, për shkak se duhen 84 vota. Tashmë i ka, dhe mund të bëjë si të dojë sa herë të dojë, duke e lënë opozitën vetëm të shikojë dhe të mos ketë asnjë ndikim.

Mazhoranca mund të ndryshojë e vetme Ligjin për strukturën, funksionimin dhe procedurat e Gjykatës Kushtetuese; Ligjin për sistemin gjyqësor; Ligjin për Prokurorinë; Ligjin për procedurat e referendumit etj.

Gjithashtu mazhoranca me këtë pushtet që ka mund të ndryshojë edhe Rregulloren e Kuvendit, teksa mund të ndërhyjë edhe në Ligjin për Sistemin Zgjedhor, përfshirë ndarjen territoriale, mënyrën e votimit etj.

Ligji për organizimin e pushtetit vendor është një tjetër ligj që kërkonte 84 vota, me anë të së cilit mund të bëhet ndarja e re territoriale, në interes të pushtetit.

Pra, ky nuk është më thjesht një pushtet politik. Ky është një regjim personal, ku një lider shfaqet çdo ditë si zgjidhje, ndërsa është vetë problemi.

Por kjo nuk është hera e parë që populli shqiptar i jep gjithë fuqinë e tij në dorën e një njeriu. Historia ka treguar se gjithmonë fundi është i njëjtë: abuzim, arrogancë, kapje totale e shtetit dhe varfërim i demokracisë.

A gabuan qytetarët? Përgjigja është po, por jo sepse zgjodhën PS-në për mandatin e katërt, por sepse i dhanë fuqinë absolute një njeriu të vetëm. Ky ishte gabimi i madh, pasojat do t’i shohim në vitet në vijim.