T’i drejtohesh Gjykatës Kushtetuese për të ndryshuar vendimet e marra nga qeveria shqiptare, është një mision thuajse i pamundur, dhe këtë e tregojnë më së miri vendimet e fundit të kësaj gjykate për çështje shumë të rëndësishme.
Gjykata Kushtetuese arriti të konsolidohej pas 2 viteve mungesë, pasi ish-anëtarët e saj u shkarkuan nga vetting-u apo dhanë dorëheqjen për t’i shpëtuar procesit të rivlerësimit. Por anëtarët e rinj të kësaj gjykate e kanë marrë detyrën me një synim të qartë, favorizimin e qeverisë.
Janë të paktën 7 vendime për disa nga çështjet më të rëndëishme të muajve të fundit që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë pro qeverisë, duke rrëzuar kërkesat e opozitës apo paditësve të tjerë.
Ndërkohë, për t’i kthyer “nderin” anëtarëve të Kushtetueses që legjitimuan të gjitha vendimet e saj, qeveria nëpërmjet një projektligji vendosi t’u rrisë rrogat, duke i bërë më të paguarit në vend, madje me paga më të larta edhe se gjyqtarët e GJKKO, prokurorët e SPAK apo edhe se Presidenti i vendit.
Por cilat janë këto vendime?
1. Ngritja e Komisionit Hetimor për biznesmenin Italian Francesco Beçhetti
Ngritja e Komisionit Hetimor për biznesmenin italian Francesco Becchetti nuk u pranua nga mazhoranca në Parlament, ndaj opozita vendosi që ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, pasi Shqipëria humbi gjyqin dhe detyrohet të paguajë 110 milionë euro ndaj biznesmenit. Por edhe për Kushtetuesen ky Komision nuk ishte i nevojshëm, duke mos pranuar që kjo çështje të hetohet, pavarësisht faturës së madhe që bie mbi buxhetin e shtetit.
2. Prishja e Teatrit Kombëtar
Prishja e Teatrit Kombëtar ishte një nga çështjet që solli më shumë debat jo vetëm në Parlament, por kudo në Shqiëpri. Aleanca për Mbrojtjen e teatrit e dërgoi në Kushtetuese këtë çështje, pasi e konsideroi të paligjshme prishjen e Teatrit në një kohë kur çështja ishte ende në gjykim dhe gjykata nuk kishte dhënë asnjë vendim për prishjen e godinës. Edhe këtë herë, Gjykata Kushtetuese nuk pranoi kërkesës, duke shpëtuar nga hetimi Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë.
3. Mandati i Olta Xhaçkës
Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe e Jashtme, Olta Xhaçka, është përfshirë në disa skandale, por ka arirtur të dalë e pastër deri më sot, falë edhe mbështetjes së kolegëve të saj por edhe drejtësisë. Pasi nuk arritën të bindnin socialistët për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës, e përfshirë në skandalin e pronave të ushtrisë, por edhe se bahskëshorti i saj u bë investitor strategjik nga qeveria në mënyrë të paligjshme, një grup deputetësh të opozitës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.
Por edhe këtë herë Gjykata Kushtetruese u bë mburojë për ministren, duke rrëzuar kërkesën e deputetëve dhe duke i dhënë mundësi Xhaçkës të vijojë edhe për disa muaj si ministre, derisa kryeministri Rama vendosi ta shkarkojë.
4- Kërkesa e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë kundër Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave
Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pë rtë shfuqizuar udhëzimet e Ministrisë së Drjetësisë dhe asaj të Financave për caktimin e tarifave të ofruara nga shërbimi përmbarimor. Sërish Gjykata Kushtetuese nuk e mori parasysh kërkesën e tyre, edhe pse këta përmbarues dëmtoheshin nga këto udhëzime, duke lënë në fuqi vendimet e ministrive.
5- Kërkesa e deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit për konfiskimin e pronave pa leje
Ligji i ri për konfiskimin e pronave pa leje e ka kthyer qeverinë në një zyrë gjobash, por edhe u ka dhënë mundësi ndërtuesve ta shkelin ligjin sa herë të duan. Sipas ligjit të ri, nëse një ndërtues ndërton disa kate më tepër sesa leja e dhënë, atëherë do të detyrohet t’i paguajë me çmimin e vendosur nga qeveria. Ky ligj u cilësua si anti-kushtetues nga opozita, që e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, por vendimi që u mor ishte i ditur, kërkesa e tyre u rrëzua, duke legjitimuar ligjin e qeverisë.
6- Kërkesa e deputetëve të opozitës për anullimin e marrëveshjes për Portin e Durrësit
Marrëveshja për Portin e ri të Durrësit është reklamuar nga kryeministri Rama dhe qeveria si një sukses i jashtëzakonshëm, për shkak të investimit disa miliardë euro të qeverisë arabe. Por mënyra sesi do të menaxhohet ky port dhe lehtësirat që i janë dhënë kompanisë që do e ndërtojë kanë ngjallur dyshime. Deputetët e opozitës e kanë cilësuar si një nga vjedhjet më të mëdha që do t’i bëhet shtetit shqiptar, ndaj edhe këtë herë iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi ishte po i njëjtë, kërkesa u rrëzua dhe qeverisë iu la dorë e lirë për të vijuar më projektet që kishte nisur.
7- Kërkesa e disa organizatave për shfuqizimin e marrëveshjes për Parkun e Butrintit
Administrimi i Parkut të Butrintit është shoqëruar gjithmonë me akuza të shumta, pasi gjithmonë ka patur vjedhje të objekteve mijëra vjeçare të gjetura, ndërkohë që edhe gërmimet nuk janë kryer gjithmonë me leje. Por dhënia me koncesion 10 vjeçar e këtij parku te një kompani e huaj ka sjellë reagim jo vetëm te opozita, por edhe te shoqëria civile.
Disa organizata të mbrojtjes së trashëgimisë iu drejtuan Kushtetueses për të shfuqizuar këtë marrëveshje, por gjyqtarët e saj vendosën që të mos e merrnin parasysh, duke e rrëzuar dhe duke i dhënë qeverisë mundësinë që të japi me koncesion një nga trashëgimitë kulturore dhe arkeologjike të Shqipërisë.