Kryetarja e bashkisë në Gjermani qëllohet 13 herë me thikë para shtëpisë, në gjendje kritike

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Herdecke, në rajonin e Westfali të Gjermanisë. Kryebashkiakja e Herdecke, Iris Stalzer, e cila sapo ishte zgjedhur, është goditur disa herë me thikë nga disa persona të panjohur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Sipas gazetës Bild, politikania 57-vjeçare është gjetur e gjakosur në shtëpi nga djali i saj. Ajo u ka treguar personave që i dhanë ndihmën e parë se ishte goditur nga disa persona para hyrjes së banesës.

Iris Stalzer është goditur plot 13 herë në stomak dhe në shpinë, ku 57-vjeçarja iu nënshtrua menjëherë një operacioni urgjent.

Iris Stalzer u zgjodh kryebashkiake e re e Herdecke vetëm më 28 shtator, duke fituar një balotazh me 52.8% të votave kundër kundërshtares së saj të CDU-së. Ajo ishte planifikuar të merrte zyrtarisht detyrën më 1 nëntor.

Në një postim në Twitter, Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, deklaroi: “Kemi marrë lajme për një akt të shëmtuar nga Herdecke. Tani duhet të hetohet shpejt. Kemi frikë për jetën e kryebashkiakes së emëruar, Iris Stalzer, dhe shpresojmë për shërimin e saj të plotë. Mendimet e mia janë me familjen dhe të dashurit e saj.”