Kryeministri i ri i Francës, Sebastien Lecornu, i ka mbijetuar dy mocioneve për votë mosbesimi në parlament, falë mbështetjes vendimtare nga Partia Socialiste, pas premtimit të tij për të pezulluar reformën e diskutueshme të pensioneve të Presidentit Emmanuel Macron.
Dy mocionet e paraqitura nga partia e majtë radikale La France Insoumise dhe ajo e djathtë ekstreme Rassemblement National (RN) morën vetëm 271 dhe 144 vota, shumë larg pragut prej 289 votash të nevojshme për të rrëzuar qeverinë e sapoformuar të Lecornu.
Gjestin e tij për të shtyrë reformën deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, Lecornu e përdori për të bindur socialistët, duke i siguruar kështu vetes dhe qeverisë së tij një shans për të mbijetuar në një Asamble Kombëtare të thellësisht të fragmentuar.
Megjithatë, votimet shfaqën qartë brishtësinë e administratës Macron në mesin e mandatit të tij të fundit presidencial.
“Një shumicë e improvizuar dhe e krijuar përmes pazareve politike arriti sot të shpëtojë postet e saj, në dëm të interesit kombëtar,” shkroi në rrjetin X, Jordan Bardella, kreu i partisë RN.
Megjithatë, përballë një krize të thellë buxhetore, pezullimi i reformës së pensioneve rrezikon të godasë një nga shtyllat kryesore të trashëgimisë ekonomike të Macron. Me financat publike në gjendje të brishtë dhe mungesën e arritjeve të mëdha në arenën e brendshme, presidenti përballet me një situatë gjithnjë e më të ndërlikuar.
Nëse njëri nga mocionet do të kishte kaluar, Lecornu dhe kabineti i tij do të detyroheshin të jepnin dorëheqjen, duke vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e qeverisjes dhe duke e detyruar Macron të merrte në konsideratë thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një skenar që do e zhyste Francën në një krizë edhe më të thellë.
Pavarësisht se e shmangu këtë rrezik për momentin, Lecornu përballet me javë të vështira negociatash për miratimin e një versioni të reduktuar të buxhetit për vitin 2026, një proces gjatë të cilit qeveria mund të rrëzohet në çdo moment.
Pas pezullimit të reformës së pensioneve, socialistët kanë kërkuar përfshirjen e një takse për miliarderët në buxhetin e ri, një tregues i qartë i dobësisë së Lecornu në negociata.
Franca ndodhet në mes të një krize politike të paprecedentë, me qeveri të njëpasnjëshme në pakicë që përpiqen të miratojnë buxhete shtrënguese për uljen e deficitit, përballë një parlamenti të ndarë në tri blloqe ideologjike.
Reforma e Macron synonte rritjen graduale të moshës së pensionit në 64 vjeç deri në vitin 2030 – në përputhje me vendet e tjera të BE-së – por kritikët e konsideruan atë një sulm ndaj të drejtave sociale të punëtorëve.