Kryeministri britanik pyetet mbi ofendimet e Suella Braverman për shqiptarët, si përgjigjet Keir Starmer

Kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri u pyet nga media mbi denigrimin e bërë nga ish-sekretaria e Punëve të Brendshme, Suella Braverman ndaj shqiptarëve, dy vjet më parë.

Ai theksoi se nuk do preferonte të bëjë komente mbi paraardhësit e tij, por shtoi se qasja e tij është krejt e ndryshme në raport me Shqipërinë.

“Fakti që unë, kryeministri i parë britanik që vij në Tiranë në këtë takim dy palësh, duhet të shihet edhe si një deklaratë qëllimi për mënyrën sesi ka krijuar një lloj force marrëdhënia jonë. Nuk dua të bëj komente për kryeministra të mëparshëm të qeverive britanike, por qasja jonë nuk është ajo diplomacia me megafon.Unë nuk dua të bërtas për problemet, po thjesht dua të përvesh mëngët edhe të jem shumë pragmatist dhe t’i zgjidh këto çështje dhe këtë e kemi treguar dhe dëshmuar tashmë. Kjo ka qenë një mënyrë efektive që nga modeli i trafikimit të paligjshëm dhe deri tek bashkëpunimit ushtarak.”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama theksoi se nuk ka qenë kryeministri Rishi Sunak, i cili ka etiketuar personalisht me epitete ofenduese shqiptarët, por ky akt është kryer nga persona të tjerë në Britani.

“Na duhet të jemi të drejtë dhe mos të harrojmë, që nuk është se ka qenë ndonjë kryeministër britanik që ka ofenduar apo ka treguar me gisht shqiptarët, kanë qenë individë të tjerë që e kanë bërë, megjithatë nuk është justifikim, sepse ishin zgjedhur nga populli britanik me votë. Megjithatë, mallkimi i shqiptarëve nuk ishte shumë i mirë për ta se tani janë jashtë parlamentit. Kjo mjafton, nuk ka nevojë për më shumë se kaq“, tha ai.

Barverman vajza e dy emigrantëve nga Kenia dhe ishujt Mauritius, u shpalli ‘luftë’ emigrantëve shqiptarë, të cilët kalojnë kanalin e La Manche, në kërkim të një jetese më të mirë.

Ajo shprehej se vendi përballet me një “pushtim” nga emigrantët që përshkojnë me gomone kanalin si dhe si pjesëtar të grupeve kriminale. Madje në disa raste ajo e cilësoi shqiptarët si “kriminelë”.