Krimi në Pogradec, pas Rrumbullakut, edhe Rama ia hedh topin Prokurorisë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vrasjen e Egli Progës në Pogradec, teksa ka marrë në mbrojtje Policinë e Shtetit, me këtë të fundit që dyshohet se tentoi të fshihte ngjarjen.

Rama thotë se Policia arrestoi në kohë rekord autorin dhe se Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë. Por njësoj si drejtori i Policisë së Shtetit, edhe kryeministri është i mendimit se ndaj policisë u hodhën akuza të pabaza.

Kryeministri thote se akuza e ngritur nga Prokuroria është e pakuptimtë për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, por nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e Urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral.

Mes të tjerash, kreu i qeverisë bën thirrje për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm sipas tij të publikut, ‘duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore’.

Rikujtojmë se pak orë para reagimit të Ramës, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një deklaratë për mediat tha se policia e Pogradecit nuk ka fshehur ngjarjen dhe se ajo është referuar në Prokurori si “vrajse me dashje”. 

Sakaq diten e djeshme, akuza e ngritur nga Prokuroria ishte ajo e “vrasjes nga pakujdesia”, vepër penale për të cilën dënohesh me gjobë ose deri me 5 vite burg.

Deklarata e plotë e Ramës:

Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën. Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë!

“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral. Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e cila është  angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes.

Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore.