Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thekson se deri tani janë administruar 123 kallëzime në lidhje me krimet e pretenduara zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, 35 prej kallëzimeve kanë kaluar për hetim, ndërsa 16 janë dërguar për kompetencë në Prokuroritë e rretheve gjyqësore.
Për 22 materiale, prokuroria vendosi mosfillim hetimesh ndërsa për 11 të tjerë janë dërguar për verifikim në drejtorinë vendore të Policisë.
Sipas SPAK, një material është bashkuar me një tjetër çështje ekzistuese. Ndërsa kallëzimet e tjera janë në proces verifikimi.
Nga këta 35 procedime penale të regjistruara, 20 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga policia e shtetit, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK, 3 kanë nisur si rezultat i kallëzimeve nga persona të ndryshëm, 2 janë referuar nga Prokuroritë e rretheve ndërsa 2 të tjerët janë bazuar në kallëzimet e subjekteve politike.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, 29 procedime janë regjistruar për korrupsion aktiv në zgjedhje, 4 për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. 1 procedim është regjistruar “përdorimi i funksionit publik për qëllime politike”, ndërsa një tjetër për përdorimi i funksionit publik për qëllime politike” dhe “shpërdorimi i detyrës”.