Krimet zgjedhore/Altin Dumani shkon në Shkodër: Të shtohet vigjilenca, kemi disa procedime konkrete

Drejtuesi i SPAK Altin Dumani ka shkuar personalisht sot në qytetin e Shkodrës. Mediat raportojnë se Dumani ka zhvilluar një mbledhje me kreun e Prokurorisë së Shkodrës, kreun e policisë vendore dhe me përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese.

Kreu i SPAK ka vënë theksin tek zbulimi i krimeve zgjedhore.

Mësohet se Dumani ka deklaruar gjatë mbledhjes se SPAK ka procedime konkrete lidhur me krimet zgjedhore dhe se pritshmëritë janë të mëdha.

Po ashtu Dumani ka kërkuar që në rastet kur ka akuza apo deklarata publike për shitblerje vote personat që bëjnë këto akuza të thirren për të bërë kallëzim në polici dhe prokurori dhe të mos neglizhohen si raste.

Po ashtu, Dumani kërkoi që policia dhe prokuroria të jenë sa më vigjilente lidhur me krimet zgjedhore. Altin Dumani është në krye të Task Forcës, e ngritur për të luftuar fenomenin e krimeve zgjedhore.

Mediat raportojnë se ka disa persona të arrestuar, por deri tani nuk ka informacione zyrtare nga Policia e Shkodrës apo nga ana e SPAK.