Kreu i SPAK “zbërthen” çështjet e nxehta: Për Ahmetajn do ketë zhvillime surprizuese! Po ndjekim dosjen “McGonigal”, Belerit i janë respektuar të drejtat

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani në një takim informal me gazetarët, dha detaje sa i përket një sërë çështjeve me interes që janë pjesë e punës së kësaj Strukture.

Zhvillime surprizuese pritet të ndodhin në çështjen penale kundër ish-zv/kryeministrit të vendit, Arben Ahmetaj.

Dumani, theksoi se hetimet për pastrim parash janë shtrirë tek biznesmenët që janë përfshirë në një seri transaksionesh bankare dhe hua financiare.
Lëvizje këto që kanë ngjallur mjaft dyshim mbi qëllimin e vertëtë të pagesave.
Në dosjen Ahmetaj, përmenden emra të njohur të botës së biznesit të përfshirë në transaksione fiannciare për llogari të përfitimit material nga Arben Ahmetaj dhe njerëzit e afërm të tij.
“…nuk kemi të dhëna konkrete se ku ndodhet Arben Ahmetaj. Është verifikuar dhe e kemi të qartë se kur ka dalë nga Shqipëria dhe ku ka shkuar. Ka zhvillime të reja dhe surprizuese…”-theksoi Dumani, pa dhënë shumë detaje për publikun.
Nga ana tjetër ish-ministri i Financave dhe ish-zv/kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj ka kërkuar nga arratia ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin e pronave të tij, por të gjitha kërkesat e tij drejtur gjykatës s’kanë sjellë rezultat.
Sipas Dumanit, fakte të reja me natyrë domethënëse kanë dalë në skenë, të cilat implikojnë rëndë aktivitetin kriminal gjatë ushtrimit të detyrës së Arben Ahmetaj.
Deri në këtë fazë të hetimit, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga homologët e huaj bashkëpunues të SPAK, nëse Arben Ahmetaj është lokalizuar dhe arrestuar. Ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë dhe pritet që listës së personave të proceduar, të shtohen dhe emra të tjerë.

Teksa foli për abuzimet me fondet e IPARD, Dumani u shpreh se ka nisur një hetim i ri nga SPAK, pasi më herët çështja ishte pushuar për moskompetencë. Përsa i përket dosjes “Metamorfoza’, ku janë arrestuar biznesmenë dhe ish-zyrtarë policie, kreu i SPAK u shpreh se i konsideron të ligjshme aktet e mbërritura nga partnerët, duke sjellë praktikën dhe vendimet e formës së prerë të disa gjykatave të vendeve europiane që i kanë njohur transkriptet si të ligjshme. Ai tha se për procedimin në fjalë po bëhen veprime hetimore aktive, por nuk preferoi të jepte një qëndrim nëse do ketë një fazë të re.

“Deri kur u regjistrua ky procedim, flitej se zyrtarë e drejtues kryenin korrupsion apo ishin të përfshirë në krim, por s’kishte veprime konkrete. Sot është fakt që janë të arrestuar. Kemi shumë punë për të bërë lidhur me këtë çështje”, tha kreu i SPAK.

Për Amant Josifin, ai tha se është arrestuar në kuadër të një procedimi nga Spanja, dhe se SPAK ka bashkëpunuar, por lidhur me faktin nëse ka çështje të hapur në Shqipëri, Dumani shtoi se “nuk na tremb Amant Josifi dhe asnjë i ngjashëm, kush do qoftë, nëse do kemi diçka konkrete, gjithsecili do japë llogari”.

Lidhur me kallëzimin për çështjen McGonigal, Dumani tha se çdo informacion dhe e dhënë e publikuar në media, është në vëmendjen e SPAK. Lidhur me kërkesën zyrtare të PD, sipas përcaktimeve ligjore si palë kallëzuese, do të ketë përgjigje brenda kohës së duhur dhe në mënyrën e duhur.

Përsa i përket çështjes Beleri, kreu i SPAK deklaroi se është çështje si gjithë të tjerat dhe shtoi se atij i janë respektuar të gjitha të drejtat që parashikon ligji.

Dumani foli edhe për Ilir Beqajn, për të cilin tha se verifikimi i pasurisë së tij ka nisur automatikisht pas skandalit me koncesionin e sterilizimit, ku u arrestuan ish-zëvendësi i Beqajt dhe biznesmeni që përfitoi.