Ligji për mjekët e rinj ka qenë në qendër të diskutimeve publike muajt e fundit, duke u pritur me kritika të forta nga vetë studentët e mjekësisë, të cilët e kanë shprehur hapur refuzimin për ligjin e ri dhe kanë vendosur të bojkotojnë me protesta të vazhdueshme vitin akademik.
Ditën e sotme, Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë ka përllogaritur koston e studimit të një studenti në degën e mjekësisë së përgjithshme, në vlerën e 2200 euro ose 248 975 lekë.
Kjo kosto është rreth tre herë më e ulët, nga ajo që Këshilli i Ministrave u ka dërguar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, në relacionin shoqërues të ligjit, ku kostoja e përllogaritur ishte në vlerën 6500 euro ose 678 944 lekë.
Diferenca e madhe midis dy kostove të përllogaritura duket se i ka shërbyer Ministrisë së Arsimit dhe Sportit si mjet për të justifikuar ligjin e papritur për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë së përgjithshme në institucionet publike të arsimit të lartë, i cili i detyron mjekët e rinj të qëndrojnë dhe punojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, duke u mbajtur peng diplomën.
Spekulimi i qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për këtë kosto faktike, solli një rënie drastike të kërkesës së studentëve për të studiuar në degën e mjekësisë në vitin e ri akademik dhe ndikoi në vendimin e deputetëve për të miratuar ligjin.
Qëndresa Qytetare ka reaguar në një deklaratë, ku i bën thirrje Parlamentit të merren masa dhe të hetohet për mashtrim të Kuvendit të Republikës, pasi kostot e Ministrisë nuk përkojnë me kostot e vetëllogaritura nga Universiteti i Mjekësisë.
Reagimi i Qëndresës Qytetare:
Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë sot përllogariti koston e një studenti mjekësie në vlerën 2200 euro.
Qëndresa Qytetare, pas këtij vendimi dhe një korrespodence të mëparshme me UMT për nivelin e kostos, konstaton se Këshilli i Ministrave u ka dërguar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë një informacion të pasaktë në relacionin shoqërues të ligjit, ku theksohej se kostoja e një student në mjekësi i kushton shtetit shqiptar rreth tre herë më shumë se kaq, pra 6500 euro. Në korenspondencën e mbajtur me UMT, tregohet në mënyrë shkresore se ky universitet prej vitit 2019 ka përllogaritur të njëjtën kosto studimi, pra rreth 2300 euro.
Nisur nga kjo situatë, Qëndresa Qytetare në funksion të transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë dhe parlamentit, i kërkon deputetëve të Kuvendit dhe Komisionit të Edukimit në Parlament të verifikojnë mbi vërtetësinë e informacionit të përcjellë nga qeveria dhe të nisin procedurën hetimore për mashtrim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ky informacion i pasaktë jo vetëm që ka shërbyer si indikacion për deputetët që të marrin një vendim për miratimin e këtij ligji, por ka ndikuar tek qindra studentë për ti qëndruar larg Universitetit të Mjekësisë për shkak të pamundësisë financiare duke marrë në konsideratë universitetet private, tarifa e të cilëve shkon në vlerën 6500 euro apo për të zgjedhur studimet jashtë vendit.
Bashkelidhur dokumentat shoqerues.

