Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vijon turin e takimeve elektorale me socialistët në Petrelë, Tiranë.
Ai u ndal te kontrata e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlera e së cilës është 6 milionë dollarë.
Kryesocialisti theksoi se ligji shqiptar e thotë qartë se sa para mund të marrësh,
“Dje shqiptarët kanë parë një kontratë të pabesueshme të kënetës me një grup magjistarësh amerikanë, siç i quajnë. Dhe 6 milionë dollarë janë deklaruar, në bazë të ligjit amerikan duhet të deklarohen se ndryshe është krim shumë i rëndë, janë deklaruar si pagesë nga ana e kënetës për të pastruar damkën nga balli i bufit të kënetës Kjo është në shkelje flagrante me çdo ligj të Republikës së Shqipërisë. Ligji i Republikës së Shqipërisë është shumë i qartë sa donacione mund të marrësh, sa financim mund të marrësh etj”, tha Rama.
Kontrata në fjalë mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka me garantor shqiptaro-amerikanin Nuredin Seci, në të cilën njoftohej se PD do t’i paguajë kompanisë amerikane 6 milionë dollarë për dy vite.
Paraprakisht sipas dokumenteve të publikuara, PD ka paguar 750 mijë dollarë parapagim dhe pjesën tjetër do ta shlyejë me 250 mijë dollarë në muaj për një periudhë dy vjeçare.
Garantori i kontratës është Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, i cili aktualisht jeton në New York dhe ka hobi alpinizmin.