Belinda Balluku është rikonfirmuar si zv.kryeministre dhe njëherazi si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës në mandatin e katërt të qeverisë Rama.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë Socialiste, kryeministri Edi Rama njoftoi se Balluku do të vazhdojë të mbajë dy postet e rëndësishme, njësoj si në qeverinë e kaluar.
“Zëvendëskryeministër konfirmoj Belinda Ballukun. Do të drejtojë të njëjtën ministri, Infrastrukturën dhe Energjinë, e cila nuk do të ndryshojë si ministri”– tha Rama.
Ndërkohë për herë të parë i besoi drejtimin e Ministrisë së Brendshme një grua. Bëhet fjalë për Albana Koçiun, e cila tashmë do të drejtojë Ministrinë e Brendshme.
“Për herë të parë, Ministrinë e Brendshme do ia besoj një gruaje. Punët e Brendshme në këtë vend janë njësuar historikisht me punët policore, por nuk janë kurrsesi thjesht dhe vetëm punët e Policisë së Shtetit. Sot zjarret janë problemi ynë më i madh. Kanë dalë në plan të parë. Ministria e Brendshme duhet të bëhet Ministri e Punëve të Brendshme, të ngrihet në një nivel tjetër. Administrata nuk mund të jetë më e zhytur në kënetë. Problematika e imigracionit, gjendja civile, standardet e shërbimeve të kompanisë së sigurisë private, që vetëm kur ndodh ndonjë gjë, themi çfarë bëhet me këta. Pronat e sekuestruara, që i riblejnë prapë pronarët, është vënë rregull, por nuk mjafton“- tha Rama gjatë fjalës së tij.