Shqiptarët ishin mbrëmë më të bashkuar se kurrë, të gjithë me sy e zemër në “Air Albania”, atje ku kombëtarja shqiptare shkëlqeu në ndeshjen ndaj Çekisë, duke hedhur një hap të sigurt drejt Kampionatit Europian që zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani.
Shqiptarët nga të gjitha trojet ishin mbledhur dje në Tiranë, teksa festa filloi që në mëngjes, për të kulmuar pas bilbilit të trefishtë të gjyqtarit holandez, ku rrugët e kryeqytetit u mbushën me fanella kuq e zi, me qeleshe e me plisa, ku dëgjohej himni kombëtar dhe himni “i ri”, “Mora fjalë” dedikuar komandantit legjendar Adem Jashari.
Kombëtarja i bashkoi të gjithë, por nuk mundi të bashkojë liderët e Shqipërisë dhe Kosovës. Kryeministri Albin Kurti udhëtoi nga Kosova drejt Tiranës për të parë kombëtaren dhe për të përjetuar emocione të forta që të jepte një ndeshje e tillë.
Në tribunën VIP të Air Albania, së bashku me Kurtin ishte edhe kryeministri Edi Rama, por ky i fundit nuk denjoi t’i jepte mikpritjen e merituar kryeministrit të Kosovës. Gjatë gjithë ndeshjes, Kurti u shoqërua nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, ndërkohë që Rama preferoi të qëndronte me familjen e tij afër presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
Hatërmbetjet personale mes dy kryeministrave nuk mundi t’i shuajë as kombëtarja. Por pavarësisht se dy liderët nuk dëshirojnë të rrinë afër njëri-tjetrit, shqiptarët u përqafuan më shumë se kurrë, në një ditë që filloi dhe përfundoi në mënyrën më të mirë.