Kodi Zgjedhor, “Kali i Trojës” që do përçajë sërish opozitën

Pas 3 vitesh të përçarë, fillimisht në 2 dhe më pas në 3 grupe, me largime deputetësh dhe akuza të forta ndaj njëri tjetrit, Partia Demokratike duket se u bë më e bashkuar kur Gjykata e Apelit mori vendimin që vula dhe logoja t’i kalonin rithemelimit të udhëhequr nga Sali Berisha.

Me vetëm pak deputetë të mbetur jashtë PD-së së vitit 2021 dhe me rikthimin e disa prej anëtarëve të grupit të Lulzim Bashës, opozita filloi të merrte formën e duhur, duke organizuar edhe protesta të shumta, që kulmuan me protestën kombëtare të pak javëve më parë.

Por, duket se marrëveshja PS-PD për Kodin e ri Zgjedhor ka nisur përçarjen e opozitës. Disa nga aleatët e Partisë Demokratike, si Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi, dolën kundër kësaj marrëveshje, që sipas tyre kishte si qëllim vetëm të forconte pozitat e kryetarëve të partive.

Në të njëjtin mendim ishin edhe disa nga deputetët e PD-së, me në krye Dashnor Sulën, i cili ironizoi marrëveshjen dhe akuzoi palët se po talleshin me popullin me këtë Kod Zgjedhor, ndërsa komplimentoi Damin Gjiknurin se kishte arritur të bënte Kodin perfekt për një mandat të katërt qeverisës së socialistëve.

Sipas Kodit Zgjedhor, 1/3 e listës është e mbyllur, ndërsa 2/3 e hapur, ku deputetët do të zgjidhen me votë preferenciale. Pra, të preferuarit e kryetarëve të partive që do të përfshihen në listën e sigurt do ta kenë të garantuar mandatin, ndërsa të tjerët do të luftojnë qoftë edhe për 1 votë.

Por, pse kjo ndarje e mandateve është një “Kalë Troje” i socialistëve për përçarjen e opozitës?

Pavarësisht deklaratave për marrjen e pushtetit në vitin 2025, demokratët janë mëse të bindur se është shumë e vështirë të rrëzosh Edi Ramën nga një pushtet i konsoliduar, me patronazhistë dhe me administratën të detyruar që të votojë majtas.

Secili prej deputetëve do të luftojë për të qenë në listën e sigurt, listë e cila është në dorën e Sali Berishës, që njerëzit e tij më të afërt vështirë se do t’i lërë në dorën e qytetarëve. Kjo do të jetë beteja e parë deri në shpalljen përfundimtare të listave.

Më pas, vijon beteja tjetër, ajo e votave preferenciale. Teksa kandidatët në listën e sigurt do të jenë më të qetë, dhe ndoshta nuk do të jenë aq shumë të angazhuar për të mbledhur vota, të tjerët që janë më poshtë në renditje do të luftojnë edhe për një votë të vetme.

Secili prej tyre do të mundohet të “rrëmbejë” nga kandidatët e tjerë të partisë çdo votë të mundshme, çfarë do të bëjë që kandidatët mes tyre të shihen si kundërshtarë dhe jo si anëtarë të së njëjtës forcë politike.

Sigurisht, siç ndodh çdo herë, do të ketë edhe të pakënaqur. Disa prej deputetëve do të mbeten jashtë listave, të tjerë nuk do të pranojnë të jenë në listën e pasigurt, ndërsa do të ketë edhe nga ata që do të hedhin akuza ndaj ish-kolegëve të tyre.

Por, Partisë Demokratike mund t’i dalë edhe një tjetër problem rrugës.

Nëse Berisha dhe Meta dakordësohen për të dalë në një listë të vetme, atëherë “lufta” bëhet shumë herë më e ashpër.

Kreu i Partisë së Lirisë do të kërkojë të ketë disa nga kandidatët e tij në listat e sigurta, çfarë do të thotë heqjen e disa prej kandidatëve të PD-së. Me rezultatet e dobëta të zgjedhjeve të fundit, largimi nga lista e sigurt është një “vrasje politike”, për çdo kandidat të opozitës.

Nga ana tjetër, socialistët janë të qetë, pasi çdo vendim i marrë nga Rama nuk kundërshtohet nga asnjë. Madje, edhe nëse ka ndonjë të pakënaqur nga renditja në listë, mund të shpërblehet me ndonjë post të rëndësishëm për të mbyllur gojën.

Pra, Kodi i ri Zgjedhor nuk është asgjë më shumë se një “Kalë Troje” për përçarjen e opozitës dhe një kalë i bardhë për mazhorancën, që ecën e sigurt drejt një mandati të katërt qeverisës.