Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare një nga figurat më të mëdha të kinematografisë shqiptare, regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti. Lajmin e trishtë e ka bërë publik e bija, Juna Anagnosti, përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruan:
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti Ndërron jetë regjisori i madh Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”
Dhimitër Anagnosti konsiderohet si një nga mjeshtrat më të mëdhenj të ekranit shqiptar.
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Ai është regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e qytetarëve si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dhe shumë të tjerë.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në art, u nderua me titullin “Artist i Popullit” dhe u vlerësua me dhjetëra çmime. Në fillim të viteve ’90, ai u angazhua edhe në politikë, duke shërbyer si deputet dhe më pas si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.