Kapri: Nuk ka asnjë vend të Europës kur një ministër ka një akuzë për korrupsion dhe kryeministri të mos ta shkarkojë

Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri, i ka bërë kërkesë Niko Peleshit që deputetët të respektojnë Kuvendin dhe të çohen në këmbë në momentin kur ata flasin.

Kapri kërkoi etikë nga ana e kreut të grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla, duke i kujtuar se nuk është në konakun e tij në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, por në Kuvendin e Shqipërisë.

Mes të tjeërash, Kapri e shigjetoi Ballën duke i thënë se është i vetmi ish-ministër i lumtur që u shkarkua nga Rama, kjo për disa arsye, të cilat vetë Balla i di.

“Zoti kryetar, të lutem shumë tërhiqu vëmendjen deputetëve, dhe veçanërisht kreut të grupit të PS që kur flitet në Parlament të çohet në këmbë.

Nuk është në konakun e tij në Bërzeshtë të Librazhdit, por është në Parlamentin e Shqipërisë dhe të respektojë Parlamentin dhe të mos flas ulur nga vendi.

E kuptojmë që ka 20 vjet në këtë Parlament dhe 13 vjet në pushtet, minimalisht të ketë etikën kur flet në Parlament, sepse ndoshta është i vetmi ish-ministër që ditën më të lumtur e ka kur e shkarkuan, sepse dihen arsyet se përse e shkarkoi Rama si ministër të Brendshëm”- u shpreh Kapri.

Po ashtu deputeti Kapri u ndal edhe te mungesa e kryeministrit Edi Rama në Kuvend, pasi ky i fundit ka nisur prej tre muajsh punimet, ndërsa kreu u qeverisë ka qenë prezent vetëm dy herë.

Kapri foli edhe për çështjen Balluku, duke thënë se fakti që zv.kryeministrja nuk po pezullohet pavarësisht vendimit të GJKKO, tregon se po tentohet me çdo mjet për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK.

Fakti që nuk shkarkohet nga kryeministri, por po tentohet me çdo mjet për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK më pas, duke tentuar që të ulet edhe numri i deputetëve dhe ndryshuar parlamentin dhe rregullat me institucionet e drejtësisë. Duam përgjigje që herën tjetër do të vijë ose jo kryeministri.”, tha Kapri.