Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka bërë një thirrje të qartë ndaj administratës amerikane të Donald Trump që të qëndrojë larg politikës së brendshme gjermane.
Në një intervistë për ZDF, Merz theksoi se nuk kishte marrë anë gjatë fushatës presidenciale amerikane dhe kërkoi të njëjtin respekt ndaj Gjermanisë.
“Unë nuk ndërhyra në fushatën zgjedhore amerikane dhe nuk mora anën e askujt. Dua të inkurajoj dhe nxis qeverinë amerikane që t’i lërë çështjet e brendshme gjermane në duart e Gjermanisë dhe të qëndrojë larg kalkulimeve partizane”, tha Merz.
Deklarata e Merz vjen pasi shërbimi i inteligjencës së brendshme gjermane e klasifikoi partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si organizatë ekstremiste. Kjo masë shkaktoi reagime nga zyrtarë të lartë të administratës Trump, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili e quajti vendimin një “tirani e maskuar” në një postim në platformën X.
Merz e cilësoi këtë koment si një “vëzhgim absurd” dhe tha se do ta ngrinte këtë çështje në një telefonatë të planifikuar me presidentin Trump të enjten.
Ai theksoi gjithashtu peshën e Bashkimit Evropian në krahasim me SHBA-në: “Së bashku jemi më të mëdhenj se SHBA. Numri i konsumatorëve tanë është më i madh se ai i Amerikës dhe Kanadasë së bashku. Pra, kemi diçka për të ofruar. Ne jemi të bashkuar, në masë të madhe dhe ky do të jetë mesazhi im për qeverinë amerikane.”
Merz pritet të takohet për herë të parë me presidentin Trump në samitin e NATO-s në Hagë, në muajin Qershor. Për të koordinuar një strategji të përbashkët europiane në fushën e mbrojtjes para këtij takimi, kancelari gjerman do të udhëtojë të mërkurën drejt Parisit dhe Varshavës për t’u takuar me homologët e tij.