Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 zyrtarët e ushtrisë që u arrestuan pasi në repartin ushtarak të Zall Herrit u gjetën parcela me 125 rrënjë kanabis.
Gramoz Mullai, Rustem Koçi dhe Gentian Zhurda kanë mohuar të kenë lidhje me kultivimin e kanabisit, teksa në dëshminë e tyre thanë se është e pamundur për të kontrolluar të gjithë tokën prej 140 hektarë.
Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, por avokatët thanë se pa akt-ekspertimin, ushtarakët nuk mund të akuzohen për kultivimin e lëndëve narkotike.
Vetë zyrtarët e arrestuar kanë deklaruar se i kanë lajmëruar eprorët e tyre për territorin e thyer dhe për pamundësinë për ta kontrolluar, por mesa duket askush nuk i ka dëgjuar.
Deklarata e zyrtarëve, nëse është e vërtetë, mund të bëjë që në prangat e Policisë të bien zyrtarë të tjerë më të lartë, të cilët kanë lejuar kultivimin e kanabisit, ose ndoshta e kanë kultivuar vetë.