Safet Bajri është një prej personave që u mor dje në pyetje nga policia, si armiku kryesor i Licëve në Shkodër, por ai është mbajtur vetëm dy orë në komisariat.
Ai u pyet lidhur me masakrën e djeshme në Shkodër, ku mbetën të vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një kalimtare e rastësishme e quajtur Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj vijon të jetë në gjendje të rëndë në spital.
Të dyshuar për atentatin janë grupi i Bajrajve, për shkak të konflikteve të vazhdueshme me fisin Lici.
RENEA zbarkoi dje në zonën e tyre në Dobraç, ku bëri kontrolle dhe shoqëroi disa persona.
Por Safet Bajri është mbajtur vetëm 2 orë në Policinë e Shkodrës. Në deklarime ka thënë se ka qenë në shtëpi me familjarët e vetë dhe nuk ka asnjë lidhje me atentatin.
Sipas tij është i monitoruar në kamera gjithandej në shtëpi, të cilat provojnë se gjatë kohës së vrasjes ka qenë në shtëpi.
Kujtojmë se konfliktet mes fisit Lici dhe Bajraj kanë sjellë që nga viti 2017,të paktën 20 të vrarë deri tani në dhjetëra atentate.
Hamza Lici,një nga viktimat e djeshme është vëllai i Ibrahim Licit, i cili akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje kjo e ndodhur në maj 2021.
Ibrahim Lici u arrestua vitin e kaluar në Turqi dhe më pas lirua, pasi u refuzua ekstradimi.
Hamzai, para pak muajsh foli nga Turqia, duke thënë se i vëllai ishte i pafajshëm. Por konfliktet mes grupeve vijuan,ndërsa vrasja e fundit u mori jetën dy të rinjve në mes të ditës, ndërsa humbi jetën edhe një qytetare e pafajshme, fati i keq i së cilës ishte që u gjend në rrugë në ato momente,si dhe u plagos rëndë burri i saj.