Arabia Saudite po kthen vëmendjen gjithmonë e më shumë nga futbolli, teksa disa nga yjet më të mëdhenj të këtij sporti i janë bashkuar kampionatit arab, të joshur edhe nga rrogat marramendëse që klubet saudite ofrojnë.
Cristiano Ronaldo, Neymar, Mane, Benzema, Mahrez dhe shumë të tjerë u transferuar këtë verë drejt Arabisë, duke e kthyer kampionatin e këtij vendi në një nga më të ndjekurit.
Por ky është vetëm fillimi, pasi Arabia Saudite ka paraqitur ofertën e saj për të organizuar Kupën e Botës në vitin 2034. Duket e vështirë për një vend ku futbolli ka marrë zhvillim vetëm vitet e fundit, por jo e pamundur, pasi mundësitë financiare të këtij vendi i bëjnë gjërat më të thjeshta.
Për t’i ardhur në ndihmë Arabisë Saudite, një nga të parët që ka dalë pro zhvillimit të Botërorit në Arabi ka qenë kryeministri shqiptar Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, ai thotë se Shqipëria do të mbështesë ofertën e sauditëve, ndërsa shton se Princi i Kurorës Mohammed bin Salman Al Saud do të kthejë atë eveniment në një festë të jashtëzakonshme të sportit.
“Shqipëria do të mbështesë me kënaqësi ofertën e Arabisë Saudite per te organizuar Kupën e Botës 2034. Jam i bindur se Mbretëria e Arabisë Saudite do të mahnisë jo vetëm mbi 3,5 miliardë tifozët e futbollit në mbarë botën, por edhe këdo që ka fatin të marrë pjesë në atë festë të jashtëzakonshme të sportit më të njohur në planet, e cila do të vijë pas zbatimit të Saudi Vision 2030 nën udhëheqjen e madhe të princit të saj të kurorës, Mohammed bin Salman Al Saud”, shkruan Rama.
Por dëshira e Ramës nuk mjafton, pasi ai që do të japë votën pro apo kundër do të jetë kreu i FSHF-së. Armand Duka do të jetë ai që do të votojë në emër të Shqipërisë, por deri më tani edhe vota e tij duhet të jetë pro, pasi Arabia Saudite është e vetmja që ka paraqitur ofertë. Në ditët në vijim pritet nëse do të ketë një ofertë nga disa vende aziatike së bashku me Australinë, por sërish arabët duket të jenë oferta më bindëse.
