Një 72-vjeçare me iniciale E.K., është marrë nën hetim nga policia pasi nuk deklaronte shumat e parave që depozitoheshin nga persona të ndryshme në Exchange që zotëronte.
Këto para, njofton policia, përdoreshin me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar.
Blutë e Tiranës thanë se sekuestruan 500 mijë euro që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Në një njoftim zyrtar, policia e Tiranës thotë se po heton për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
“Nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj (exchange), me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, procedohet në gjendje të lirë pronarja e subjektit.
Sekuestrohen rreth 500 000 euro , të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Si rezultat i një hetimi, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua operacioni “Hidden Funds”, në kuadër të cilit u procedua penalisht shtetasja E. K., 72 vjeçe.
Në subjektin në pronësi të kësaj shtetaseje, sipas provave të mbledhura, rezulton se depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale”, njoftoi Policia e Tiranës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.