Gjykata e Posaçme ka lënë në burg shefin e Antidrogës në Durrës, i arrestuar 2 ditë më parë pasi akuzohet se ka shantazhuar pronarin e një klubi nate te Ura e Dajlanit se do t’i mbyllë biznesin dhe i ka kërkuar si ‘gjobë’ 20 mijë euro.
Megjithatë në seancën e sotme, ai ka mbajtur një qëndrim mohues, duke mos pranuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“Jam baba i tre fëmijëve të mitur, kërkoj një masë më të butë sigurie. Kam shkuar vetëm se më ka kërkuar pronari i biznesit. Nuk e dija se kishte lekë brenda zarfit dhe në momentin e arrestimit kam kërkuar që pakoja të hapet në praninë e avokatit, gjë e cila nuk më është mundësuar”- ka thënë ai për gjyqtaren e GJKKO-së.
Por pavarësisht pretendimeve të shefit të Antidrogës, dhe mbrojtjes së tij, GJKKO ka konfirmuar masën e sigurisë arrest me burg ndaj Preçit.
Rikujtojmë se Preçi u arrestua në flagrancë, duke marrë një shumë prej 10 mijë eurosh, nga pronari i një lokali nate striptizmi pranë Urës së Dajlanit.
Gazmir Preçi me gradë kryekomisar akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”