“Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri”, Berisha flet për dënimin e Salianjit dhe fton qytetarët në betejën e opozitës

Kreu i PD-së Sali Berisha nga dritarja e banesës së tij ka folur në lidhje me dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji, lidhur me dosjen “Babale” ku demokrati akuzohet për “kallëzim të rremë”.

Një shpallje lufte ndaj opozitës e quajti Berisha vendimin e dhënë sot nga Apeli, ndërsa shtoi se Salianji u dënua me urdhër të Edi Ramës. Ai tha gjithashtu se është rasti i parë në historinë e botës, që një kallëzim i vërtetë shpallet kallëzim i rremë.

“Deputeti Ervin Salianji, të cilin sot Edi Rama, Geron Xhafa, Fatzi Xhafa, e dënuan me një vit burg, sepse guxoi të përballej dhëmbë për dhëmbë, pa u tutur, me guxim qytetar, me krimin, me klanin më të fuqishëm të drogës së Vlorës, Geron dhe Fatmir Xhafën.

Sot, Geron Xhafa, ky trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali, në gjykim në Venezuelë, feston fitoren e tij mbi denoncuesin publik, deputetin e opozitës, Ervin Salianji.

Ervin Salianji sot u dënua në një akt shpallje luftë opozitës shqiptare, nga Edi Rama, me akuzën kallëzim i rremë.

Është rasti i parë në historinë e botës, që një kallëzim i vërtetë shpallet kallëzim i rremë.

Ervin Salianji u arrestua sot sepse provoi me zë dhe dokumente se Geron, ky baron droge, ky kriminel i pashpirt, drejtonte trafiqet nga Porti i Vlorës, ndërkohë kur kërkohej për të bërë burgun, dënimin në Itali, për krimin që kishte kryer në këtë vend. Dënimi i sotëm, goditja e radhës që kreu i narkoshtetit shqiptar i bën opozitës shqiptare”, tha Berisha.

Më tej, kreu i demokratëve ftoi qytetarët dhe demokratët që protestojnë poshtë banesës së tij që të bashkohen në betejën e opozitës,

“Ndaj dhe sonte, u bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë, opozitarëve kudo që janë, të ngrihemi dhëmb për dhëmb me këta kriminelë. Dhëmb për dhëmb me këta trafikantë. Dhëmb për dhëmb me këta horra. Dhëmb për dhëmb me këta banditë.

Të lëmë mënjanë gjithçka, të nisim betejën për ekzistencën e opozitës, betejën për ekzistencën e ligjit, betejën për fitoren mbi krimin, betejën për përmbysjen e narkokrimit, betejën për Kushtetutën e vendit, betejën për sovranitetin e Shqipërisë. Betejën për një drejtësi të pavarur. Betejën kundër mafies të çdo ngjyre, me guxim, me trimëri. Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri”, tha mes të tjerash Berisha.