Izraeli përballet me zemërim publik për vonesat në kthimin e trupave të pengjeve të vdekur

Ndërsa Izraeli festoi kthimin e 20 pengjeve të mbijetuar të hënën pas marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, zemërimi publik është rritur për shkak të vonesave në kthimin e trupave të pengjeve të vrarë që ende ndodhen në Gaza.

Vetëm tetë nga 28 trupat e deklaruara të vdekur janë dorëzuar deri tani, ndonëse marrëveshja kërkonte dorëzimin e të gjithë pengjeve, të gjallë dhe të vdekur,deri të hënën në mesditë. Situata ka lënë shumë familje në ankth, ndërsa vendi u përfshi nga valë festimesh për kthimin e të mbijetuarve.

Shumë qytetarë dhe familjarë e kanë parë si të papërshtatshme mënyrën se si u trajtua ky moment, veçanërisht në institucionet shtetërore. Kjo është interpretuar si një përpjekje për të mbyllur temën e pengjeve, megjithëse shumë prej tyre ende nuk janë kthyer.

Sipas burimeve izraelite, Hamas ka hasur vështirësi në gjetjen e trupave për shkak të shkatërrimeve masive në Gaza, pas dy vitesh bombardimesh. Megjithatë, kritikat ndaj qeverisë izraelite dhe kryeministrit Netanyahu janë shtuar, për mënyrën si është menaxhuar situata dhe për mungesën e transparencës në lidhje me hapat e mëtejshëm.

Ndërkohë, faza e dytë e bisedimeve për armëpushim është ende në hapat e parë. Shumë çështje kyçe mbeten pa zgjidhje, përfshirë kontrollin e Gazës dhe çarmatosjen e Hamasit. Pavarësisht deklaratave optimiste, forcat izraelite vazhdojnë të jenë të pranishme në enklavë, ku ka raportime për përleshje të dhunshme mes grupeve të armatosura.