Izraeli mbyll ambasadat në të gjithë botën pas sulmeve ndaj Iranit

Izraeli po mbyll ambasadat e tij në të gjithë botën dhe u ka kërkuar qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të mos shfaqin simbole hebraike ose izraelite në vende publike, thuhet në deklaratat e postuara në faqet e internetit të ambasadave të premten pasi Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit.

Në deklaratë thuhej se Izraeli nuk do të ofronte shërbime konsullore dhe u kërkohej qytetarëve të bashkëpunonin me shërbimet lokale të sigurisë nëse përballeshin me aktivitet armiqësor.

Ministria e Jashtme izraelite ka lëshuar udhëzime për të gjithë izraelitët jashtë vendit që të plotësojnë një formular për të informuar ministrinë për vendndodhjen dhe gjendjen e tyre. Një formular i ngjashëm u dha nga ministria pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, me qëllim koordinimin e kthimit të rezervistëve dhe organizimin e fluturimeve të shpëtimit.

Autoritetet izraelite nuk kanë saktësuar se për sa kohë do të zgjasë mbyllja e përfaqësive diplomatike.

Izraeli goditi objektet bërthamore të Iranit në orët e para të së premtes, duke rritur rrezikun për një konflikt të gjerë rajonal në Lindjen e Mesme.

Ushtria izraelite thotë se janë përdorur 200 avionë luftarakë, ndërkohë që në shenjë hakmarrjeje, Irani ka lëshuar mbi 100 dronë drejt territorit izraelit. Gjenerali Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare të Iranit dhe ndër figurat më të fuqishme të vendit, u vra në sulm.

Sulmi vrau gjithashtu Gjeneral Major Mohammad Bagheri, oficerin më të lartë ushtarak të Iranit, dhe ish-shefin e sigurisë kombëtare Ali Shamkhani.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “Operacioni Rising Lion” goditi impiantin kryesor të pasurimit të Iranit në Natanz, shkencëtarët bërthamorë dhe atë që ai e quajti “zemra e programit të raketave balistike të Iranit”.