Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të një plani armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA, që parashikon lirimin e të gjithë pengjeve në Gaza, tërheqjen e ushtrisë izraelite deri në një pikë të caktuar dhe lirimin e disa të burgosurve palestinezë.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi se lirimi i pengjeve pritet të ndodhë të hënën. Megjithatë, ai nuk dha detaje mbi çështjet ende të pazgjidhura të marrëveshjes, siç janë çarmatimi i Hamasit dhe çështja e qeverisjes së Gazës pas armëpushimit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të mbledhë sot kabinetin qeveritar për të votuar për marrëveshjen. Faza e parë e planit mund të zbatohet vetëm nëse qeveria jep miratimin përfundimtar.
Marrëveshja është pritur me festime si në Gaza, ashtu edhe në Izrael, por banorët në të dyja anët kanë shprehur rezerva nëse kjo do të çojë në një paqe të qëndrueshme.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti përpjekjet diplomatike që çuan në arritjen e marrëveshjes, duke u shprehur se është “e inkurajuar” nga mbështetja e qeverisë izraelite dhe Autoritetit Palestinez. “Tani, të gjitha palët duhet të respektojnë plotësisht kushtet e marrëveshjes”, tha ajo.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e cilësoi marrëveshjen si “një hap të rëndësishëm përpara”, duke shtuar se kjo përfaqëson “një mundësi reale për t’i dhënë fund një lufte shkatërrimtare dhe për të liruar të gjithë pengjet”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se Franca është “gati të kontribuojë” për arritjen e paqes, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë me përpikëri kushtet e marrëveshjes.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, tha se është “i lehtësuar që pengjet do të ribashkohen së shpejti me familjet e tyre” dhe se “pas viteve të vuajtjeve të rënda, paqja duket më e afërt se kurrë”.
Ndërkohë, presidenti turk Erdogan, u shpreh “shumë i kënaqur” për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit, por shtoi se “lufta jonë do të vazhdojë deri në themelimin e një shteti palestinez”.