Gjykata e Posaçme ka dënuar me 9 muaj burg, ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, i cili akuzohet për fshehje pasurie. Megjithatë ky dënim do të konvertohet në 80 orë pune në komunitet.
Prokuroria e Posaçme kërkoi 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Kushtetueses Fatos Lulo dhe kërkoi që ky dënim të konvertohej në 2 vite shërbim prove.
Ish Gjyqtari Kushtetues u shkarkua nga shkalla e parë e vetingut më 23 mars 2018, vendim i lënë në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Atij i është sekuestruar një dyqan me sipërfaqe 172 m2 në Tiranë.
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Gjykimin e çështjes penale nr. 137/1 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurit Fatos Lulo, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i K.Penal.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Elsa Ulliri me vendimin Nr. 60, datë 17.10.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatos Lulo për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 të K.Penal dhe dënimin e tij me 9 muaj burgim.
2. Në aplikim të nenit 63 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim ndaj të pandehurit Fatos Lulo duke bërë zëvendësimin e tij me detyrimin që i dënuari të përmbushë një punë në interes publik, pa shpërblim.
3. Urdhërohet i pandehuri Fatos Lulo të kryejë 80 orë punë në interes publik dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
4. Detyrimi për kryerjen e punës në interes publik duhet të përmbushet brenda 6 (gjashtë) muajve.
5. Ngarkohet Shërbimi i Provës të përcaktojë llojin e punës që do të kryhet, vendin e kryerjes së punës dhe ditët e javës kur do të kryhet ajo, duke pasur parasysh, për aq sa është e mundur punësimin e rregullt të të pandehurit apo detyrimet e tij
familjare. Kohëzgjatja e punës me interes publik nuk i kalon tetë orë në ditë.
6. Një kopje e vendimit t’i dërgohet degës territoriale të Shërbimit të Provës, ku i pandehuri ka vendbanimin.
7. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
8. Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.