Irani organizoi të shtunën një funeral shtetëror për rreth 60 persona të vrarë gjatë konfliktit 12-ditor me Izraelin, përfshirë figura të larta të ushtrisë dhe shkencëtarë bërthamorë. Arkivolet, të mbuluara me flamurin iranian dhe të dekoruara me portretet e komandantëve të ndjerë, u ekspozuan pranë sheshit Enghelab në Teheran, ku mijëra qytetarë të veshur me të zeza brohorisnin slogane dhe valëvitnin flamuj kombëtarë.
Ceremonia e funeralit u mbajt pas përfundimit të luftimeve, pas një armëpushimi të ndërmjetësuar më herët gjatë javës, pasi Shtetet e Bashkuara u përfshinë drejtpërdrejt duke bombarduar objektiva kyçe bërthamore në Iran.
Në mesin e të vrarëve është edhe Mohammad Bagheri, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, figura më e lartë ushtarake në vend. Ai do të varroset bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij, të cilat humbën jetën në një sulm ajror izraelit.
Sipas autoriteteve iraniane, në total janë vrarë 627 persona në Iran gjatë konfliktit, ndërsa Izraeli ka raportuar 28 të vrarë pas sulmeve me raketa nga Irani.
Gjithashtu, funeralit iu bashkuan edhe figura të tjera të rëndësishme si komandanti i Gardës Revolucionare Islamike, Hossein Salami, si dhe disa shkencëtarë bërthamorë, përfshirë Mohammad Mehdi Tehranchi, rektor i Universitetit Azad në Teheran.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të konsideronte një tjetër sulm ndaj Iranit, nëse shërbimet e inteligjencës do të vërtetonin se vendi po pasuron uranium në nivele të rrezikshme.
Përmes rrjetit të tij social Truth Social, Trump hodhi akuza të rënda ndaj liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, duke e cilësuar atë si “gënjeshtar” për pretendimet se Irani kishte fituar luftën ndaj Izraelit
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, reagoi ashpër ndaj deklaratave të Trump, duke i cilësuar “mosrespektuese dhe të papranueshme”. Ai theksoi se sulmet amerikano-izraelite nuk kishin sjellë ndonjë dëmtim të rëndësishëm në kapacitetin bërthamor të vendit.
“Populli i madh iranian i tregoi botës se regjimi izraelit nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të kërkonte ndihmë nga ‘babai’, për të mos u shkatërruar nga raketat tona,” shkroi Araghchi në platformën X.