Italiani Davide Pecorelli është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë. Ai u mor në dorëzim në Aeroportin e Rinasit nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB).
Po dërgohet në Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale për të vuajtur masën e sigurisë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ndaj Pecorellit është caktuar masa “arrest në burg”, pasi ai dyshohet për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë “mashtrimi”, “dhunimi i varreve”, “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Ish-gjyqtari i futbollit dhe biznesmeni në janar të vitit 2021, inskenoi ngjarjen e vrasjes së tij dhe djegies së trupit në një zonë të Pukës.
Shkalla e parë e Gjykatës Shkodër e ka dënuar me 4 vite burgim nga 8 që kërkoi Prokuroria, teksa çështja ndodhet ende në Apel.