Incidentet në Këshillin Bashkiak të Himarës, reagon studiuesi Bido: Partitë e duan ligjin, por janë disa antishqiptarë…

Zgjedhja e kryetares së komanduar të Bashkisë Himarë është shoqëruar me incidente të shumta, ku në një moment njëri prej mbështetësve të Fredi Belerit ka pështyrë Prefektin e Vlorës, Vangjel Tavon.

Studiuesi Ardit Bido ka reaguar pas këtyre ngjarjve, teksa shprehet se mbledhja e sotme tregoi edhe njëherë se partitë politike në Shqipëri, të majta apo të djathta, e duan ligjin dhe begatinë e Shqipërisë, por ka edhe disa antishqiptarë me qëllime dashakeqëse që krijojnë të tilla situata.

Sipas tij, këta persona anë pështymën njerëzore të akumuluar në masakrat e MAVI-t, në përçundimin e simboleve kombëtare dhe në përdorimin e mekanizmave agimartase për t’u imponuar me qëllime antishqiptare brenda shtetit shqiptar.

Reagimi i plotë:

Pështyrësit dhe ligji

Çka ndodhi sot në qytetin e Himarës, në jug të Republikës së Shqipërisë, dëftoi më së miri atë që them prej kohësh: këtu nuk ka asnjë kundërshti as mes shqiptarësh e as mes shumicës dërrmuese me vetidentifikim shqiptar dhe pakicës paqësore me vetidentifikim grek. Këtu ka një përplasje ideore mes shtetasve shqiptarë pa dallime që duan begatinë e këtij vendi dhe nuk duan pengmarrjen e tij dhe pështyrësve të ligjit që shëmtojnë fytyrën e vetë më keq se e shëmton gëlbaza fizike që hedhin sepse kanë pështymën njerëzore të akumuluar në masakrat e MAVI-t, në përçundimin e simboleve kombëtare dhe në përdorimin e mekanizmave agimartase për t’u imponuar me qëllime antishqiptare brenda shtetit shqiptar! Këtu, kemi të bëjmë me përplasjen mes pështymës dhe ligjit. Fakti që sot pamë se ligjin e do edhe PS, edhe PD (zyrtare dhe e rithemelimit), edhe PL, edhe çdo forcë tjetër politike reale që përfaqësohet me votat e himarjotëve në Këshillin Bashkiak rrëfen me dritën e paerrur nga asnjë pështymë se kush është përballë: agimartasit që qimen ndërrojnë por ideologjinë neonaziste nuk e harrojnë!