IKMT do t’u shembë shtëpitë, 6 familje në Bërxullë me shishe benzine në duar kërcënojnë të vetëflijohen, në vendngjarje mbërrin FNSH

Ashtu siç e njoftoi Media Ditari ditën e djeshme pas denoncimit të banorëve të Bërxullës, IKMT ka shkuar në këtë fshat për të shembur 6 shtëpi, vetëm 1 ditë pasi kishte lajmëruar pronarët e këtyre banesave.

Por punonjësit e IKMT-së janë përballur me kundërshtimin e 32 personave, të cilët kanë hipur në tarracat e banesave me shishe benzine në duar, duke kërcënuar se do të vetëflijohen.

Banorët thonë se IKMT e ka përgatitur procesverbalin që në datën 10 Maj, por janë lajmëruar vetëm dje, teksa thonë se kjo ka ndodhur që të mos i lejojnë ata të organizohen. Asnjë prej familjeve nuk është dëmshpërblyer, por u është premtuar vetëm një bonus qiraje.

Ajo çfarë e bën më të rëndë skandalin e IKMT-së, është se familjet kanë aplikuar për t’i legalizuar banesat prej vitit 2014, por deri më sot nuk kanë mundur t’i legalizojnë.

“Në fillim na thanë që do të na shpërblenin pastaj na thanë nuk do të merrni asgjë. Nuk na ka ardhur asnjë njoftim. Erdhi një procesverbal dje që na tha lironi menjëherë shtëpinë. Kërkojmë strehim. Nuk kemi ku të shkojmë, jemi ën qiell të hapur. Kemi fëmijë ku do të jetojnë ata? Ata që paguan morën, ne jo”, tha një prej banoreve.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët qëndrojnë në gatishmëri përkrah Policisë së Shtetit dhe punonjësve të IKMT-së.

Lexo edhe: SKANDALI/ Në proces legalizimi dhe të pashpronësuar, 6 familje në Bërxullë rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur, IKMT u lë vetëm 1 ditë kohë për prishjen e shtëpive