I vuri flakën një automjeti, policia i futet nga dritarja dhe arreston 30 vjeçarin në Korçë

Një makinë u dogj sot në qytetin e Korçës ndërsa policia ka arritur të zbardhë ngjarjen duke zbuluar se autori ishte një 30 vjeçar me precedent penal i quajtur Samuel Pengu.

I riu ka bërë rezistencë kur policia i ka shkuar në shtëpi ndaj siç shihet në foto, dy policë kanë hyrë nga dritarja.

Djegia e qëllimshme e makinës u bë në rrugën “Boris Plumbi”, në lagjen nr. 10, të qytetit të Korçës, ku u dogj automjeti në pronësi të shtetasit G. S.

“Si rezultat, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. P., 30 vjeç, banues në Korçë (me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit dhe të armëmbajtjes pa leje).

Nga veprimet hetimore dhe nga provat e siguruara rezultoi se ky shtetas i ka vënë zjarrin automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit G. S., dhe për pasojë automjeti është djegur pjesërisht. 30-vjeçari, në momentin kur forcat e Policisë ndërhynë në banesë me qëllim kapjen e tij, ka bërë rezistencë ndaj tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.