“I sugjeruam të ngujohemi në seli por Salianji nuk pranoi”, Gazment Bardhi tregon çfarë ndodhi në mbledhjen e grupit

Gazment Bardhi ka treguar se çfarë u diskutua sot në mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa tha se Salianji do të dorëzohet në Policinë e Tiranës.

Ai tha se sugjerimi i grupit ka qenë të ngujohen brenda selisë, por deputeti Ervin Salianji nuk ka pranuar dhe kolegët e tij do të respektojnë vendimin.

Pas kësaj Bardhi ka thënë se është vendosur ndërprerja e marrëdhënieve institucionale me shumicën socialiste, në Kuvend.

“I kërkuam kolegut Ervin Salianji që të mos e zbatojë vendimin politik të Edi Ramës, firmosur nga tre gjykatësit. Vendimi i grupit parlamentar ka qenë unanim. Deputeti ka vendosur që më të keqen të përballet, edhe me koston e të shkuarit më të padrejtë, pa ligj e pa prova, në burgun politik të Edi Ramës. Kjo sakrificë do të duhet të shërbejë si kambanë alarmi për këdo prej nesh, se kur një deputet i opozitës çohet në burg për hakmarrje personale të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt, asnjë nuk është i paprekshëm. Ne e respektojmë vendimin e kolegut Salianji, duke konfirmuar që së bashku me të, të gjithë e konsiderojmë padrejtësi vendimin e Gjykatës së Apelit. Pas këtij vendimi, nuk do të ketë më marrëdhënie institucionale me shumicën socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Këto janë momente të vështirë për Shqipërinë dhe çdo shqiptar”, tha Bardhi.