I shpallur në kërkim nga SPAK, vetëdorëzohet ish-drejtori i Policisë Lezhë

Ish-drejtori i Policisë Lezhë, Henerigert Mitri, i shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen Revanshi është vetëdorëzuar ditën e sotme.

Sipas SPAK, Mitri së bashku me ish-punonjësin e policisë kufitare Klodjan Shahini dhe persona të tjerë akuzohen se drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në qarkun e Lezhës.

Po ashtu hetimet zbuluan se në bashkëpunim me biznesmenin Pëllumb Gjoka, Mitri organizonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.

Emri i Mitrit doli nga përgjimet e SKYECC, ku SPAK lëshoi 50 urdhër-arreste, duke shkatërruar 7 grupe kriminale në vend

Ndaj tij, GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”.