Një krim i rëndë brenda familjes tronditi sot Tiranën ku Vehap Cami 63-vjeç, vrau vëllain e tij dhe më pas veten.
Ngjarja e rëndë duket se ka zanafillën pas një konflikti për motive pronësie, sipas hetimeve të deritanishme.
Lulëzim Camit, pasi iu dëmtua shtëpia nga tërmeti në lagjen “5 Maji” në kryeqytet, u zhvendos rreth 2 vjet më parë në rrugën “Xhon Belushi” në zonën e Freskut, aty ku ndodhi krimi.
Vehap Cami i shkoi në banesë mëngjesin e 4 janaroit dhe i drejtoi armën drejt vëllait të tij, duke e vrarë. Më pas e shkrepi drejt vetes. Autori një ditë më parë kishte festuar 63-vjetorin e lindjes.
Të dy vëllezërit vdiqën menjëherë, dhe trupat e tyre u dërguan më autoambulancë për në morgun e Tiranës.
Pavarësisht se thuhet se shkak është bërë një pronë e dy vëllezërve në vendlindjen e tyre në Tërbaç, fëmijët e tyre janë shprehur se nuk ishin në dijeni të mosmarrëveshjeve që kishin.
Policia pritet të hedh më shumë dritë rreth kësaj ngjarjeje.