Deputeti i PS, Plarent Ndreca është paraqitur sot në SPAK teksa ai është marrë i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Ndreca është marrë i pandehur në lidhje me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend gjatë kohës kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Konkretisht, Plarenr Ndreca në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë kanë favorizuar Gjon Radovanin si përfitues i tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve.
Përveç deputetit socialist, të pandehur për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim janë: Denisa Skënderaj, Blendi Kovi, Lira Kolasi, Ferdinant Tarazhi, Grida Isufi, Jonarda Qurku, Lindita Mukaj, Silva Dauti, Deni Klosi, Julia Hysa, Elora Kokalari dhe Aida Shehi.
Ndërkohë, për falsifikim dokumentesh akuzohen Erand Majko Rroboçi, Klejdi Kujtim Meço dhe Emiliano Flamur Mehmeti.
Kallëzimi në SPAK për këtë çështje u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.