Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në Fier ku 19-vjeçari Grei Bihuci, u vra me thikë nga dy kushërinjtë Florjan Muka 18 vjeç dhe Klajdi Muka 17 vjeç, pas një sherri që kishte nisur në rrjete sociale.
Ndërkohë sot, kolegë dhe miqtë e tij kanë bërë homazhe në vendin e ngjarjes. Ata vendosën trëndafila të kuq dhe qirinj bashkë me një foto të të riut.
Ata ndezën qirinj dhe i shprehën ngushëllime familjes teksa bënë thirrje që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më dhe të rinjtë duhet të vlerësojnë jetën.
Në konfliktin e djeshëm, mbeti i plagosur edhe shoku i 19-vjeçarit, Olti Serjanaj, i cili ndërhyri për ta shpëtuar atë. Ai ndodhet në spitalin e Fierit, jashtë rrezikut për jetën.
Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pastiçeri në bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi.