I duam, por sikur të na donin pak më shumë

Kur Europa thërret, Shqipëria përgjigjet, por kur Shqipëria troket në derën e Europës, askush nuk dëgjon!

Dy Samitet e mbajtura në Tiranë në ditët e fundit të Shkurtit ishin një mesazh i qartë se Shqipëria ka përparuar shumë në politikën e jashtme dhe është faktor në politikën europiane në Ballkanin Perëndimor.

Samiti për Ukrainën solli në Tiranë për herë të parë Presidentin Volodymyr Zelensky, vizita e të cilit u përcoll me interes nga të gjithë. Qëllimi i Zelenskyt dihej, të merrte mbështetjen e vendeve të Europës Juglindore për prodhimin e armatimeve për Ukrainën, por pritshmëria e të gjithëve ishte diçka tjetër.

Ukraina është një nga vendet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndaj edhe vizita e Zelenskyt në Tiranë ishte një nga mundësitë më të mira për të bërë deklaratën që të gjithë e prisnin, por kjo nuk ndodhi. Presidenti ukrainas, pasi bëri kërkesat e tij te çdo lider që mori pjesë në Samit, u largua pa thënë asnjë fjalë për Kosovën.

Nëse në vitet e para të pavarësisë së Kosovës Ukraina mund të justifikohej me faktin se nuk donte të prishte marrëdhëniet me Rusinë, sot ky justifikim është më i pabazë se kurrë më parë. Por edhe një tjetër justifikim i Ukrainës, se njohja e Kosovës mund të nënkuptonte edhe njohjen e pavarësisë së Krimesë, nuk qëndron, pasi sot Krimeja është thuajse një kapitull i mbyllur, 10 vite pas aneksimit të saj për t’iu bashkuar Rusisë.

Ukraina është sot në një situatë shumë të vështirë dhe Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe OKB-së e ka detyrim për t’i dhënë mbështetjen, ashtu siç do të vazhdojë t’ia japë edhe kur lufta në Ukrainë të përfundojë dhe të fillojë rindërtimi i vendit, proces që do të kërkojë miliarda euro.

Sigurisht që Shqipëria dhe shqiptarët, ashtu siç kanë treguar gjithmonë se janë bujarë dhe zemërgjerë, do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e Ukrainës me mundësitë që kanë, por kur Shqipëria u godit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Ukraina nuk dha asnjë cent të vetëm në Konferencën e Donatorëve.

A nuk duhej të ishte radha e Ukrainës këtë herë që të tregohej mirënjohëse dhe të njihte Kosovën si shtet të pavarur, për të treguar edhe se e dëshiron anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin europian?

E njëjta gjë ndodh edhe me Bashkimin Europian, ku Shqipërisë i thuhet në çdo mbledhje apo Samit që është gati për të hapur negociatat për anëtarësim, por gjithmonë del një shtet i vetëm që na pengon.

Njëherë Franca, pastaj Holanda dhe tani Greqia, që kërkojnë medoemos Shqipërinë jashtë Bashkimit Europian, pavarësisht se jo vetëm që kemi përmbushur çdo kusht që na kanë kërkuar, por kemi qenë gati të pranojmë çdo kërkesë të tyre. Shqipëria nuk është aspak më pas me plotësimin e kushteve se sa ishin Rumania dhe Bullgaria në vitin 2007, por sërish dera e BE-së qëndron e mbyllur për ne.

Shqipëria pret, sepse e do Bashkimin Europian, ashtu siç do Ukrainën dhe SHBA, por sikur edhe ata të na donin pak më shumë!