Historia e pabesueshme, familja hebreje gjeti pikturën e grabitur nga nazistët në një muze europian

Nga Kevin Rector “Los Angeles Times”

Ishte fillimi i vitit 1939, dhe hapësira për arratisjen e hebrenjve si Lil Kasirer Nojbauer, po ngushtohej me shpejtësi. Nazistët e kishin forcuar shtypjen e tyre në Gjermani, duke plaçkitur sinagogat, shtëpitë dhe shkollat ​​e hebrenjve. Kampet e vdekjes do të hapeshin shumë shpejt.

E dëshpëruar, ajo shiti një pikturë të mrekullueshme të rrymës impresioniste, që ishte pjesë e koleksionit të artit të familjes së saj, për të marrë një vizë që do ta lejonte të largohej nga Gjermania në pragun e Luftës së Dytë Botërore.

Gjashtë dekada më vonë, nipi i Lilit që banon në San Diego bëri një zbulim tronditës:piktura në fjalë ishte rishfaqur në Evropë, e lidhur me pasardhësit e një familje industrialiste gjermane, e cila ndihmoi në financimin e ardhjes në pushtet të Adolf Hitlerit.

Sot stërnipi i Lilit, Dejvid Kasirer, pret një vendim përfundimtar në betejën e gjatë ligjore të familjes së tij për ta rimarrë pikturën e famshme, që sot ndodhet në një muze në Spanjë. Vepra e piktorit Kamile Pisarro, vlerësohet se vlen sot dhjetëra miliona dollarë.

Beteja ligjore nuk po zhvillohet vetëm për paratë, por edhe për trashëgiminë familjare dhe për një konflikt midis ligjit dhe moralit. Nga fillimi i viteve 1930, dhe deri në fundin e luftës në 1945, nazistët vodhën rreth 650.000 piktura dhe vepra të tjera arti. Shumë prej tyre nuk janë gjetur, ndërsa vazhdojnë betejat ligjore për të tjerat.

Çështja e secilës familje është e ndryshme, por nga një fitore përfundimtare përfitohet shumë. Dhe familjet hebreje, ekspertët e këtyre rasteve dhe avokatët në mbarë botën e kanë vëzhguar nga afër dhe për dekada të tëra rastin Kasirer. Tadeush Shtauber, një avokat i muzeut, nuk pranoi të komentojë në emër të klientëve të tij.

Kasirer, 69 vjeç nga Kolorado, thotë se dëshiron të shohë një zgjidhje të kësaj çështje për nder të kujtimit të stërgjyshes së tij, e cila jetoi me familjen e tij në SHBA për disa vite para vdekjes së saj në vitin 1962. Por edhe për babain e tij, Klod, i cili vdiq në vitin 2010 duke ëndërruar kthimin e pikturës.

“Si një i mbijetuar i Holokaustit, im atë nuk rreshti asnjëherë së menduari apo foluri për atë që ndodhi me familjen e tij dhe me popullin po hebre në Evropë gjatë epokës naziste. Kërkimi i tij për të rimarrë pikturën, ishte mishërimi i ëndrrës në dukje të pamundur për të rivendosur të paktën diçka nga ajo që nazistët kishin shkatërruar me aq brutalitet”- thotë Dejvid.

Përpara luftës, familja Kasirer ishte koleksioniste e pasur e veprave të artit, dhe kishte ndihmuar karrierën e artistëve premtues, përfshirë impresionistin hebre Pissarro. Galeria e familjes nga Berlini ishte e famshme në botën e artit. Lili iu bashkua familjes nga martesa me dirigjentin e operës Fric Kasirer.

Ata patën vetëm një fëmijë, Evën, e cila më vonë lindi babain e Dejvidit, Klodin. Kur Eva vdiq nga gripi në vitin 1921, Lili u bë një nga kujdestaret kryesore të Klodit. Në vitin 1924, Lili dhe Fric trashëguan nga vjehrri i saj një pikturë të Pisarros të realizuar në vitin 1897.

E ujdisur në një kornizë të artë, tabloja përshkruan një peizazh të shndritshëm parizian, të titulluar “Rruga Saint-Honoré gjatë një pasdite me shi”. Sipas të dhënave të gjykatës, piktura kishte qenë pjesë e familjes që nga viti 1900. Dhe në vitin 1926, kur vdiq Fric, Lili u bë pronarja e saj e vetme.

Në janarin e vitit 1939, Lili – që asokohe jetonte në Mynih – u martua me Oto Nojbauer, një mjek i shquar që ishte detyruar nga nazistët të hiqte dorë nga pozicioni i tij si drejtues në një spital universitar në Mynih. Në mars, nazistët aneksuan Çekinë. E dëshpëruar për të shpëtuar jetën dhe arratisur nga Gjermania, Lili pagoi sa iu kërkua.

Në atë kohë, familjet e pasura hebreje ishin ende në gjendje të siguronin viza. Pasuritë e tyre vlerësoheshin nga nazistësh, që merrnin atë që dëshironin dhe vendosnin një “taksë largimi” për çdo gjë që familjet merrnin me vete jashtë vendit. Jakob Sheidvimer, një tregtar lokal i veprave te artit dhe anëtar i Partisë Naziste, e vlerësoi veprën e Pisarros dhe vendosi ta merrte atë.

Ai i pagoi Lilit 900 marka, pra vetëm një pjesë të vlerës së pikturës, dhe këtë në një llogari bankare ku Lili nuk kishte qasje. Në ato kushte, ajo mori vizën e saj dhe çifti u largua për në Angli. Atë shtator, nazistët pushtuan Poloninë dhe lufta filloi zyrtarisht.

Shumë hebrenj që nuk kishin shpëtuar tashmë vdiqën në kampet naziste të vdekjes, përfshirë motrën dhe nënën e Lililit në Aushvic. Xhonatan Petropulos, një ekspert i shquar mbi veprat e artit të grabitura nga nazistët, që është marrë 2 dekadat e fundit me rastin Kasirer, thotë se hebrenjtë si Lili u përballën me një terror brutal, dhe nuk kishin asnjë mundësi të negocionin ne kushte të barabarta me “vlerësues të artit” si Sheidvimer.

Lili nuk e harroi asnjëherë veprën e Pisarros, dhe as nipi i saj Klod. Gati në të njëjtën kohë që Lili po arratisej nga Gjermania në Angli, Klod shkoi në Francë bashkë me një shok klase. Ende adoleshent, ai u arrestua nga qeveria kolaboracioniste e Vishisë, dhe u mbajt në një kamp në shkretëtirën marokene në periferi të Kazablankës, ku u sëmur nga ethet tifoide dhe për pak sa nuk vdiq.

Ai u shpëtua kur forcat aleate përparuan në Afrikën e Veriut dhe hipi në një anije që shkonte ne SHBA. U shërua në një spital në Nju Jork, përpara se të transferohej në Klevlend, ku u martua me një vajzë vendase të quajtur Beverli dhe u bë fotograf. Klod mbajti raporte të afërta me Lilin.

Ajo kishte nisur ta kërkonte pikturën pas luftës, duke punësuar një avokat në Gjermani. Në dhjetorin e vitit 1948, Lili i shkroi autoriteteve duke thënë se besonte se piktura ishte shitur për 85.000 marka në një ankand në Berlin, menjëherë pasi Sheidvimer ia kishte marrë nga shtëpia e saj, dhe se ky akt përbënte një “konfiskim të madh”.

Pretendimi i Lilit çoi në fillimin e një beteje të gjatë gjyqësore në Gjermani. Çështja u ndërlikua nga fakti se Sheidvimer ia kishte shitur tablonë një familjeje tjetër hebreje, përpara se ajo të konfiskohej sërish nga nazistët.

Në vitin 1958, palët ranë dakord për një zgjidhje:Gjermania i pagoi Lilit shumën 120.000 marka gjermane, ose rreth 250.000 dollarë me kursin e sotëm, sipas një vlerësimi të bërë nga gjykata. Një pjesë e shumës do të kalonte për familjen tjetër hebreje. Por familja nuk mendoi se ajo marrëveshje i dha fund pretendimit të tyre.

Kur vdiq Lili, ia la trashëgim të drejtat e pikturës Klodit, dhe ky i fundit nuk i ndali asnjëherë kërkimet për vendndodhjen e saj. Gjithçka që dinte ishte se ajo ishte shitur në një ankand të organizuar nga nazistët, dhe më pas ishte zhdukur. Pastaj një ditë, në fund të vitit 1999 apo fillimin e vitit 2000, mori një telefonatë nga Ana Grovs, një artiste dhe mikeshë e tij me banim në Nju Jork.

Grovs, sot 88 vjeçe, tha në një intervistë për The Times, se ishte duke zhvendosur disa libra nga dhoma e saj e ndenjes, kur vuri re një libër të vjetër mbi Pisarron, që listonte shumë nga pikturat e tij dhe vendndodhjet e tyre në mbarë botën. Ajo i telefonoi menjëherë Klodit.

Donte të dinte nëse midis atyre pikturave, ishte edhe ajo që ishte grabitur nga nazistët. Klod  i dërgoi me faks një kopje të një imazhi të vjetër bardh e zi të pikturës së Lilit. Ana i tha se imazhi përkonte me një nga pikturat e listuara në libër. Kur Klod mori në dorë kopjen e tij të librit, dhe e kuptoi menjëherë se ajo kishte të drejtë.

“Aty thuhej se piktura ishte në pronësi të Baronit Von Tisen, dhe se ndodhej në Lugano të Zvicrës”-thotë Klod. Baroni kishte nënshtetësi zvicerane dhe jetonte në Monte Karlo për të shmangur taksat. Ai vinte nga njëra prej familjeve me të pasura në Gjermani, pronare e madhe uzinash të prodhimit të hekurit dhe çelikut.

Koleksioni privat i veprave të artit të kësaj familje, u bë i dyti më i madh në botë pas familjes mbretërore britanike. Në vitin 1976, Baroni bleu 4 vepra arti nga galeria “Stephen Hahn” në Nju Jork, dhe njëra prej tyre ishte vepra e Pisarros. Në vitin 1993, ai i shiti 775 nga veprat e koleksionit të tij Mbretërisë së Spanjës – vendlindja e gruas së tij të pestë dhe të fundit – për shumën 350 milionë dollarë.

Baroni ishte ende gjallë kur Klod pa pikturën e Lilit në librin e Pisarros, por jo kur u ngrit padia në vitin 2005. Ndaj sot është e pamundur t’i jepet përgjigje pyetjes:Çfarë dinte ai për historinë e Pisarros, kur e bleu atë? Rastet mbi veprat e artit të grabitura nga nazistët, marrin rrallë një kthesë pozitive.

Shumë gjëra varen nga historitë e bashkuara të një brezi hebrenjsh – tani thuajse tërësisht të humbur – familjet dhe të dhënat familjare të të cilëve u shkatërruan nga nazistët. Por Dejvid thotë se rasti Kasirer është pjesërisht i veçantë, sepse Lili u largua nga Gjermania me shumë dokumente dhe foto me vete.

Gjithsesi gjërat nuk janë të thjeshta. Kjo çështje ka ngritur pikëpyetje komplekse ligjore, duke i detyruar gjyqtarët të pajtojnë ligjet kontradiktore nga territore të ndryshme. Familja Kasirer pretendon se baroni dhe muzeu e dinin ose duhej ta dinin se piktura ishte grabitur, ndaj kanë detyrimin ta kthejnë atë. Por muzeu thotë se nuk e dinte këtë, dhe ruan titullin e tij si blerës në mirëbesim sipas ligjit spanjoll. Beteja ligjore vazhdon.

Marrë me shkurtime