Hije skandali në Agjencinë e Prokurimeve Publike, “Diella” zhduk arkivin e tenderave nga viti 2010

Agjencia e Prokurimeve Publike (APP) ndodhet nën hijet e një skandali të rëndë, pasi në faqen zyrtare të institucionit është konstatuar mungesa totale e të dhënave për tenderat, koncesionet dhe prokurimet publike.

Mungesa e të dhënave përfshin periudhën kohore nga 2010 deri në vitin 2021.

Por ndryshe nga propaganda që mori dhenë, Diella, ministrja virtuale e prezantuar nga Rama duket që ka nisur detyrën duke zhdukur arkivat e tenderave, të cilët janë dhënë përgjatë 11 vitesh.

Prej disa ditësh, përdoruesit që aksesojnë faqen e APP-së ndeshen me rubrika bosh për vitet 2010–2021, duke pamundësuar aksesin në informacionin që ligjërisht duhet të jetë publik.

Kjo situatë ka ngritur dyshime serioze për transparencën dhe llogaridhënien në një sektor, i cili është akuzuar për mungesë transparence.

Për këto hije skandali nuk ka ende një reagim zyrtar nga APP apo nga Ministria e Financave.

Gjithashtu mbetet e paqartë nëse vendimi për heqjen e të dhënave është marrë me dijeninë e autoriteteve më të larta, përfshirë Kryeministrin, i cili ka promovuar vazhdimisht platforma të reja për rritjen e transparencës në administratën publike.

Ky incident vë në pikëpyetje seriozitetin e përpjekjeve për dixhitalizim dhe transparencë, dhe rrezikon të minojë besimin e publikut në institucionet shtetërore.

Në një kohë kur lufta kundër korrupsionit kërkon më shumë dritë dhe më pak hije, fshirja e të dhënave për tenderat shtetërorë përfaqëson një hap të rrezikshëm pas në drejtim të qeverisjes së hapur.

Një ditë më parë, Rama u shpreh se “Diella” përpunon informacoione të shpejta dhe se vendimet do t’i marrë sërish qeveria e tij.

Pra, Diella më tepër po shihet si fasadë sesa një qasje inovative, që i shërben transparencës dhe interesit publik.