Helmimi i fëmijëve në kopshtin e Gramshit, AKU publikon rezultatin e analizave

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar sot duke bërë publike analizat e kryera në ISUV, në lidhje me helmimin e disa fëmijëve të kopshtit publik në Gramsh.

AKU shprehet se mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë si qumësht, kofshë pule dhe vezë të marra në Tiranë e Elbasan kanë rezultuar të pastra.

Më tej, AKU thekson se për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.

Njoftimi i AKU-Së:

Në kuadër të transparencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimit të publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr .1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, të cilat u dërguan për analizim për treguesin Salmonella spp pranë Laboratorit të Referencës në ISUV.

Informojmë se për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp.

Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.Sapo të kemi këtë informacion, AKU do të vijojë me informimin e mëtejshëm të publikut”, thekson AKU-ja.

Helmimi i fëmijëve të kopshtit ka ndodhur të martën e 20 majit, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga institucionet shëndetësore dhe vendore.

Ngjarja u bë publike të shtunën nga një familjar, i cili denoncoi publikisht helmimin e nipit të tij. Banorët zhvilluan protestë dhe kërkuan zbardhjen e plotë të rastit.