Hekurudha Shqiptare shkurton 47 vende pune, punonjësit të zhgënjyer: Na flakën në rrugë

47 punonjës të hekurudhës shqiptare kanë mbetur të papunë, mes tyre edhe punonjës që janë në prag të pensionit.

Raportohet se punonjësve iu është komunikuar verbalisht vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës javën e kaluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës Shqiptare në Durrës, si pasojë e një procesi të shkurtimit të vendeve të punës.

Për mediat ata shprehen shumë të zhgënjyer nga ky rezultat dhe si të flakur në rrugë pas një jete në hekurudhë.

Punjojësit të cilët janë larguar nga puna pa asnjë arsye thonë se kanë qenë kryesisht të angazhuar në mirëmbajtjen e linjës hekurudhore të Bajëz, që përdoret kryesisht për transportin e zhavorrit drejt Malit të Zi, me një frekuencë 2-3 herë në javë.

Sipas tyre, ndërprerja e marrëdhënies së punës ka prekur vetëm sektorin e mirëmbajtjes, ndërkohë që stafi teknik dhe drejtues vijon të qëndrojë në pozicionet e mëparshme.

Mes punonjësve që “i ka rënë lapsi” për tu larguar nga puna janë edhe ata që për pak muaj dalin në pension. Ata thonë se janë të shqetësuar dhe të zhgënjyer për largimin e parakohshëm.