Hapja e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, Rama: Do t’i japim Federicas nënshtetësi shqiptare!

Ditën e sotme në kuadër të Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, u nënshkrua marrëveshja mes Kolegjit të Europës, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës për shtëpinë e re të Kolegjit të Europës që do të hapë dyert në Tiranë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje pritet të garantojë funksionimin e plotë të Kolegjit, duke nisur që prej këtij viti akademik deri në përfundimin e kampusit të ri. Kryeministri Rama paralajmëroi se do t’i japë Rektores së Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, nënshtetësinë shqiptare.

Kryeministri Rama tha se është shumë i lumtur për të ndarë atë që ka bërë Federica.

“Edhe unë nuk isha përgatitur që të flisja dhe nuk do të mbaj fjalim. Dua vetëm të ndaj me të gjithë ju atë që ka bërë Frederica. Nuk e fsheh kënaqësinë që të kemi Fredericën që i afrohet asaj pike ku ne ofrojmë nënshtetësinë shqiptare.

Do të jetë më shumë se një nder që ta konsiderojmë atë si shqiptare. Ardhja e Kolegjit të Europës na bën krenar. Ky do të jetë destinacion i mirëfilltë europian arsimimi. Jo vetëm sa i takon programeve, por dhe cilësisë së jetës.”, u shpreh Rama.

Në fjalën e saj Mogherini bëri me dije se nga 241 aplikime nga 41 kombësi të ndryshme, janë pranuar 31 studentë për vitin e ri akademik që do të nisë  në shtator. Mogherini bëri me dije më tej se nuk do ofrohet vetëm master, por edhe trajnime e formim ekzekutiv i zyrtarëve në rajon e përtej tij.

“Kemi bërë një rrugë të gjatë. Viti akademik do nisë në shtator me 31 studentë me një program të nivelit master për transformimin e integrimin europian me fokus të veçantë në BE dhe Ballkanin Perëndimor.

Kemi çelur procesin e pranimit në tetor dhe sot kemi marrë 241 aplikime për 31 vende, nga 41 kombësi. Kontrolluam dhe përzgjodhëm më të mirët. Kemi kryer mjaft intervista individuale për të zgjedhur studentët dhe nga numri përfundimtar kishim 34 kombësi.

Ka një kërkesë dhe ky projekt po haset me entuziazëm të jashtëzakonshëm. Do nisim brenda pak muajsh aktivitetet brenda kolegjit. Do nisim aktivitetin e parë që do zhvillohet më 9 maj për ditën e Evropës së bashku me delegacionin e BE për fuqizimin e grave.

Do ofrojmë trajtime dhe formim ekzekutiv të zyrtarëve në rajon e përtej tij”, tha ajo.