Këshilli i Lartë i Prokurorisë nis sot procesin për të zgjedhur kreun e ri të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Mësohet se mbledhja do të zhvillohet sot në orën 10:00 me pjesëmarrjen e anëtarëve të KLP-së, përfaqësuesve të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Drejtësisë, EU4Justice dhe OPDAT.
Kujtojmë se tre vite pasi u zgjodh në krye të SPAK, Altin Dumanit i përfundon mandati më datë 16 dhjetor.
Megjithatë ai do të vijojë të jetë prokuror i kësaj strukture deri në përfundim të mandatit të tij 9 vjeçar, njësoj si Arben Kraja, i cili më herët ka qenë në krye të SPAK.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat tre vjeçar.
Lidhur me drejtuesin e ri të SPAK, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani.
Gonzato e siguroi kryetaren e KLP-së se do të ndjekë nga afër këtë proces duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet.
Vlen të përmendet se drejtuesi i SPAK ka pasur ndër vite mbështetjen e SHBA-ve ndërsa vetëm pak javë më parë ai ishte për një vizitë zyrtare në Uashington ku u takua me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit ku në fokus ishte goditja e organizatave kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.