Për herë të parë pas gati 2,000 vitesh, vizitorët e Koloseut do të kenë mundësinë të ecin nëpër “Kalimin Komodus”, tunelin e fshehur që dikur u mundësonte perandorëve romakë të hynin në amfiteatër pa u parë dhe të mbrojtur. Hapja për publikun e këtij korridori të restauruar rishtazi do të bëhet zyrtare më 27 tetor.
Ky kalim i rëndësishëm arkeologjik, i emërtuar sipas Perandorit Komod (i njohur edhe nga filmi “Gladiator”), i çonte perandorët direkt në kutinë e nderit të tyre, duke iu ofruar atyre një hyrje të padukshme dhe të sigurt për të ndjekur lojërat brutale.
Historia e fshehur e pasazhit ‘S’
Arkeologët në Parkun Arkeologjik të Koloseut shpjeguan se tuneli sekret u zbulua fillimisht në vitet 1810. Emri iu vendos në nder të Perandorit Komod, i cili qeverisi mes viteve 180 dhe 192 pas Krishtit dhe njihej për pasionin e tij ndaj spektakleve të gladiatorëve. Historia tregon se pikërisht gjatë kalimit në këtë tunel, ai i shpëtoi një tentative vrasjeje.
Gjatë punimeve të restaurimit, në hyrje të korridorit u zbuluan mbetje të elementeve dekorative me përshkrime të gjuetisë së derrave të egër dhe luftimeve me arinj, duke shërbyer si një “prelud i përshtatshëm” për argëtimet që i prisnin perandorët brenda arenës.
Arkitektja që mbikëqyri punimet, Barbara Nazzaro, u shpreh se vizitorët tani mund të shijojnë se si ishte të ishe një perandor që hynte në arenë, veçanërisht me ndihmën e një rindërtimi virtual që vizualizon dekorimet origjinale, stukot, afresket dhe mermerët.
Restaurimi dhe eksperienca e re vizitore
Projekti i restaurimit, i përfunduar mes Tetorit 2024 dhe Shtatorit 2025, përfshiu konservimin strukturor të kalimit, restaurimin e elementeve dekorative dhe instalimin e një shtegu të ri për këmbësorët.
Për të përmirësuar eksperiencën, është instaluar një sistem i ri ndriçimi që rikrijon dritën natyrore që dikur filtronte nga hapjet e vogla, si dhe një rindërtim digjital që ndihmon vizitorët të shohin pamjen origjinale të këtij tuneli historik në formë të shkronjës ‘S’.
Një projekt i dytë restaurimi, për pjesën e tunelit që shtrihet përtej perimetrit të Koloseut, pritet të nisë në fillim të vitit 2026.