Hamasi ka publikuar për herë të parë një video të një vajze që thuhet të jetë marrë peng nga grupi terrorist.
E reja quhet Maya Sam dhe thotë se ishte në një festë pranë Rripit të Gazës, kur u mor peng. Ajo tregon se ata e kanë dërguar në spital pasi ka dëmtuar rëndë krahun. Në video shihet se krahun e ka të operuar dhe me hekura, pasi Hamas do të tregojë me sa duket se po kujdeset për pengjet.
Ky është apeli i nisur në videon e parë të publikuar nga Hamasi për një nga 200 pengjet e marra në Gaza në shpërthimin e përgjakshëm të 7 tetorit në jug të Izraelit.
“Unë jam Maya Sam, jam 21 vjeç nga Shoham. Aktualisht jam në Gaza. U ktheva herët në mëngjes të shtunën nga një festë në zonën e Sderotit. E kam lënduar rëndë dorën. Më sollën në Gaza dhe më çuan në spital këtu për tre orë. Ata u kujdesën për mua dhe më dhanë ilaçe. Unë vetëm ju kërkoj që të më ktheni në shtëpinë time sa më shpejt të jetë e mundur, te familja ime, te prindërit e mi, te vëllezërit e motrat e mia. Të lutem më nxirr nga këtu sa më shpejt”.Maya Sam
Pas publikimit të videos kanë reaguar edhe familjarët e saj konfirmuan se ishte vajza e tyre dhe se ishin shumë të lumtur që ajo ishte gjallë.