Grushte dhe tentativë për dhunë brenda KZAZ-së në Kashar, prangoset agresori

Policia e Tiranës ka dhënë detaje mbi incidentin e ndodhur në KZAZ nr. 30 në zonën e Kasharit, ku një vëzhgues ka goditur fizikisht anëtarin e kësaj KZAZ-je.

Sipas policisë janë konfliktuar mes tyre përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike dhe për konfliktin është shoqëruar një person.

“Rreth orës 14:30, është kërkuar ndërhyrja e Policisë në KZAZ Nr. 30, në Yrshek, pasi gjatë procesit të numërimit, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike janë konfliktuar me njeri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin R. N., 26 vjeç, i dyshuar i përfshirë në konflikt, për veprime të mëtejshme proceduriale”, njofton policia.

Policia po ashtu mohon se në konflikt janë përfshirë edhe punonjës policie.

“Sqarojmë se ky pretendim është i pavërtetë”, nënvizohet në njoftim.

Në KZAZ-së ku pati përplasje fizike kanë shkuar edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Policia vijon punën për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë e rrethanave të konfliktit.